E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten të prekurit nga diabeti

Gjatë 7 viteve të fundit, numri i të sëmurëve ka arritur në 55 mijë njerëz. “Aktualisht, përllogariten të jenë rreth 55 mijë të sëmurë me diabet, shifër kjo që ka një njohur rritje pothuajse dyfish gjatë 7 viteve”, tha mjeku endokrinolog, Florian Toti.

Kështu nëse në vitin 2004 përllogariteshin rreth 30 mijë të sëmurë me diabet të regjistruar, kjo shifër tashmë ka kaluar 55 mijë. Shifrat u bënë të ditura në një konferencë të zhvilluar në Tiranë për këtë qëllim. Mjeku Isuf Kalo tha se “në shumicën e rasteve diabeti është pa shenja. Diabeti është një ‘bishë’ që kafshon pa dhimbje dhe këtu qëndron vështirësia për t’u përballur me të, sepse kemi të bëjmë me një sëmundje të fshehtë. Në një numër shumë të madh rastesh, dibeti qëndron i heshtur për vite me radhë”.

Sipas tij, në 5 vite (2006-2011) diabeti ka njohur një rritje të rasteve me 25 %, ndërsa kostoja e paguar për ta nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është dyfishuar. “Në 5 vite rastet e paguara nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për të sëmurët me diabet është dyfishuar, ndërkohë që numri i të sëmurëve është rritur nga 41 mijë në 51 mijë, dhe kostoja është rritur dyfish, për shkak të shtrimeve në spital nga medikamentet dhe më pak nga kujdesi ambulator. 

Mosha më e prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Rreziku i diabetit qëndron në faktin që po prek moshat që janë aktive për punë, por kambanat po bien, sepse forma  e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët. Diabeti tip 2 është rrjedhojë  e mënyrës jo të shëndetshme të jetës, ndërsa mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, obeziteti, por edhe trashëgimia, janë ndër faktorët kryesorë shpërthyes të sëmundjes. 

Diabeti i sheqerit karakterizohet nga çrregullimi i prodhimit të insulinës. Format e diabetit janë diabeti tip 1 haset në rreth 10-15 për qind të të sëmurëve me diabet, diabeti tip 2, që është shumë më i shpeshtë dhe haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet, si dhe diabeti i shtatzënisë, tip diabeti që shfaqet gjatë shtatzënisë. Shenjat e diabetit janë etje e shtuar,pra pirje uji në sasi të madhe,urinim i shpeshtë/ dhe në sasi të madhe ditën dhe natën, tharje goje, shtim oreksi por që shoqërohet me humbje peshe, lodhje më tepër se zakonisht,dhimbje stomaku,shikim i mjegullt,mungese e theksuar përqendrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mbyllen me vështirësi, infeksione të ndryshme. /Start/

                                                                                             2012-09-15 14:16
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›