E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten tensionet ndëretnike në Maqedoni

Grupi ekstremist “Komitët” po hedhin parulla antishqiptare në Shkup

Në Maqedoni, këto kohët e fundit, marrëdhëniet ndëretnike po pësojnë goditje pas goditje në formë incidentesh të ndryshme që, deri tani, për fat, kanë qenë të vogla, por po të injorohen dhe të mos vlerësohen si duhet nga partitë politike, sidomos ato maqedonase dhe shqiptare, situatat që krijojnë mund të mahisen dhe të përbëjnë problem për stabilitetin politik të këtij vendi. Sikurse dihet, marrëdhëniet ndëretnike, sidomos ato maqedonase-shqiptare, u keqësuan kohët e fundit për shkak të Enciklopedisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë, që shpërfillte e zhvlerësonte shqiptarët në Maqedoni dhe të vendimit të diskutueshëm të Ministrisë së Arsimit të këtij vendi për mësimin e gjuhës maqedonase nga të vegjlit e pjesëtarëve të bashkësive etnike qysh në klasën e parë, duke e nxehur edhe një herë tjetër, pa qenë nevoja, klimën politike në vend. Një tension suplementar në marrëdhëniet mes maqedonasve dhe shqiptarëve shtoi incidenti i së shtunës së fundit në sheshin kryesor të Shkupit, “Makedonija”, kur pjesëtarë të grupit famëkeq ekstremist nacionalist sllavo-maqedonas të ashtuquajtur “Komitët”, që më shumë e shfaqin veten në stadiumin e qytetit dhe ambientet sportive të tjera, duke hedhur parulla e duke mbajtur në duar pankarta me përmbajtje të theksuar nacionaliste, sidomos antishqiptare, sulmuan një grup të rinjsh shqiptarë, duke plagosur një djalë shqiptar 11-vjeçar dhe duke ngjallur me të drejtë zemërimin e popullsisë shqiptare. Përfaqësues të lartë të Partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, partnere në koalicionin qeveritar të kryesuar nga Kryeministri Nikolla Gruevski, e konsideruan incidentin në fjalë pasojë të atmosferës së përgjithshme të krijuar në vend nga një seri projektesh politike, duke filluar nga Enciklopedia maqedonase, duke vazhduar me vendimin për mësimin e gjuhës maqedonase nga të vegjlit e bashkësive etnike qysh në klasë të parë dhe duke e mbyllur, tani për tani, me projektin mjaft të diskutueshëm “Shkupi 2014”. Ky i fundit parashikon, midis të tjerave, ndryshimin, deri në atë vit, të qendrës së kryeqytetit maqedonas, sidomos të sheshit “Makedonija”, ku parashikohet të vendosen një serë monumentesh e simbolesh sllavo-maqedonase dhe asnjë simbol ose ndonjë shenjë tjetër të bashkësive etnike, sidomos të asaj shqiptare, popullsia e së cilës, sikurse dihet, përbën gati një të tretën e popullsisë së përgjithshme të këtij vendi. Në partinë shqiptare BDI, këto ditë, vënë në dukje se, ashtu sikurse edhe kishte paralajmëruar ajo, projekti në fjalë (Shkupi 2014) tani po jep rezultatet e veta, duke polarizuar, duke fragmentarizuar dhe duke i ndarë maqedonasit dhe shqiptarët. “Shtrojmë pyetjen se nga e merr fuqinë dhe mbështetjen ky grup tifozësh ‘Komitët’ që, për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër kohe, e shfryn me kaq lehtësi zemërimin e vet mbi shqiptarët në kryeqytetin e vendit. Janë zhgënjyese përpjekjet që bëhen, që të gjithë këtë sulm të huliganëve agresivë ta paraqesin si një larje hesapesh mes grupeve të tifozëve, po ashtu sikurse ndodhi edhe në fund të vitit të kaluar, kur po këta ‘komitë’ keqtrajtuan e rrahën gra e fëmijë shqiptarë në lagjen ‘Nerezi’. është koha ekstreme që organet kompetente të përballen me dukuri e ndodhi të tilla në shoqërinë tonë, pasi ato përmbajnë elemente të fashizmit dhe të marrin masat e duhura që të shmanget shkallëzimi i mëtejshëm i situatës dhe pasojat e padëshiruara”, vuri në dukje një përfaqësues i lartë i BDI-së. Sidoqoftë, Kryeministri Gruevski u përpoq ta minimizonte incidentin e fundit në sheshin “Makedonija”, duke mos i kushtuar shumë rëndësi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›