E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i Brukselit për vizat, para pushimeve të verës

Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, garantoi dje në Tiranë se vendimi i KE-së për vizat do merrej para pushimeve të verës, pasi Shqipëria i kishte përmbushur të gjitha kriteret teknike dhe gjithashtu kishte konfirmuar vullnetin për reforma të forta edhe në të ardhmen

Leonard Quku
TIRANE- Kreu i Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Zhan Pierr Mirel, jep garanci të plota për liberalizimin e vizave Shqipëri-BE, para pushimeve të verës së 2010-s, duke shtuar se do të mbahet premtimi i institucioneve të Brukselit, për lëvizjes e lirë të qytetarëve shqiptarë.
Përmes një konference të përbashkët për shtyp me ministren e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, Mirel, iu referua në fjalën e tij, posaçërisht procesit të liberalizimit të vizave, duke specifikuar se Komisioni Evropian do të veprojë ashtu siç ka premtuar, pra, marrjen e vendimit për hyrjen e Shqipërisë në “Schengen” brenda 6 mujorit të parë të 2010-ës.
Mirel u shpreh i vendosur se Komisioni Europian është i angazhuar që para pushimeve të verës, të japë një vendim të tillë. “Ajo që thashë sot në Komitetin e Stabilizim Asoccimit ne jemi në pritje të raporteve që do të na sjellin ekspertët që vizituan Shqipërinë javët e fundit. Konkluzionet e këtyre ekspertëve ne do t’i ndajmë e do t’ia çojmë dhe kolegëve tanë në Shqipëri, kjo është praktika jonë e përhershme në mënyrë që të mos kemi keqkuptime, pastaj do të përgatisim vlerësimin tonë që do të bazohet në standardet e kërkuara, reformën ligjore që do të jetë bërë deri atëherë dhe në konkluzionet e ekspertëve. Vlerësimin që do të bëjmë në do ta ndajmë dhe me shtete anëtare në Bruksel dhe pastaj KE do të dërgojë në Këshill propozimin e vet dhe pastaj do të mbetet në dorën e Këshillit dhe shteteve anëtare për të vendosur. Edhe dy komente të tjera: kjo qasje dhe metodologji që po përdoret për Shqipërinë është përdorur edhe në shtetet e tjera. Së dyti do të thosha që ne jemi angazhuar dhe do ta japim propozimin tonë deri në mesin e vitit 2010 e do t’i përmbahemi kësaj fjale”, u shpreh Mirel.
është thuajse një qëndrim zyrtar, që shqiptarët do të lëvizin të lirë në hapësirën “Schengen”, përpara pushimeve të verës. Presioni i disa europarlamentarëve drejt Brukselit, për të mos thelluar ndasitë ndërmjet rajonit, bën të domosdoshme unifikimin e qëndrimit të institucioneve të BE ndaj aspiratave të integrimit të Shqipërisë. Liberalizimi i vizave, prej kohësh është konsideruar një sfidë dhe një moment i shumë pritur për qytetarët shqiptarë, aq më tepër nëse i referohemi 3 vendeve të ballkanit perëndimor, të cilat vetëm pak muaj më parë, nënshkruan marrëveshjen e lëvizjes së lirë me vendet e Bashkimit Evropian.
Javën e kaluar zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian me mbështetjen edhe të kryekomisionerit për Zgjerimin Stefan Fule, i drejtuan një kërkesë zyrtare Brukselit që të dorëzojë sa më parë propozimet për liberalizimin e vizave për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina. Impakti i qëndrimit të europarlamentarëve dhe rezoluta e miratuar nga Parlamenti Evropian më 20 nëntor reflekton në instancat politike të Brukselit, për të marrë sa më shpejt vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›