Benedikti XVI i kthehet nevojës për të shtuar numrin e meshtarëve
Kemi nevojë për meshtarë që, pa rendur pas modave kulturore, ta dëshmojnë praninë e Zotit në botë: kjo është zemra e fjalimit plot pasion, që Benedikti XVI ua drejtoi dje paradite 700 ipeshkvijve e meshtarëve, pjesëmarrës në takimin teologjik, organizuar nga Kongregata për Klerin. Papa u ndalua në mënyrë të posaçme tek tema e takimit: “Besnikëria e Krishtit, Besnikëri e meshtarit”, duke ripohuar vlerën e celibatit e duke i ftuar meshtarët t’u kundërvihen të gjithë atyre, që do të dëshironin ta shndërronin meshtarin në një punonjës social. Në emër të pjesëmarrësve, Papën e përshëndeti kardinali Klaudio Humes, prefekt i Kongregatës për Klerin. Bota e sotme ka nevojë për meshtarë, që të jenë të tillë deri në fund të fundit. Benedikti XVI ripohoi se, në një epokë, e cila ka prirjen të zhdukë çdo konceptim identitar, duke menduar se është në kundërshtim me lirinë e demokracinë, duhet t’i kemi tejet të qarta “karakteristikat e veçanta teologjike të shërbimit meshtarak”. E kjo, që të mos tundohemi për ta barazuar këtë shërbim me ndonjë nga kategoritë kulturore sunduese: “Në rrethanat e sotme, ku sundon shekullarizimi, që e përjashton në mënyrë progresive Zotin nga sfera publike e, në mënyrë tendencioze, edhe nga ndërgjegjja shoqërore e shumicës, shpesh herë meshtari duket si i huaj në mes të turmës, pikërisht për shkak të aspekteve më themelore të misionit të tij, si njeri i shenjtërisë, i shkëputur nga bota, për të ndërmjetësuar në favor të botës, i caktuar në këtë mision nga Zoti e jo nga njerëzit (cfr.Heb 5,1).
Papa vërejti se duhen kundërshtuar prirjet e rrezikshme për ta kufizuar misionin meshtarak, të cilat përpiqen ta paraqesin meshtarin gati-gati si të ishte një punonjës social, duke i krijuar rrezikun të tradhtojë vetë meshtarinë e Krishtit. Ndërsa duhet pohuar, e me forcë, edhe në ditët tona, vlera e shenjtë e celibatit, sepse është profeci e vërtetë e Mbretërisë së Hyjit, shprehje e dhurimit të plotë të vetvetes në shërbim të Zotit e të afërmit: “Siç bëhet gjithnjë më urgjent shpjegimi i vazhdimësisë, për të kuptuar si duhet tekstet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, ashtu na duket i nevojshëm edhe shpjegimi i asaj, që mund ta quajmë ‘vazhdimësi meshtarake” e cila, duke u nisur nga Jezusi i Nazaretit, Zot e Krisht, e duke u përshkuar nëpër dymijë vjet histori, madhështi, shenjtëri, kulturë e përshpirtëri, shkruar nga Meshtaria në botë , arrin deri në ditët tona”.
Në kohën kur jetojmë – vijoi Papa - ka shumë rëndësi që thirrja për rrugën e meshtarisë të lulëzojë në karizmën e profecisë: “Ndjehet një nevojë e madhe për meshtarë, që t’i flasin botës për Zotin e që t’ia paraqesin Zotin botës: njerëz që nuk bien pré e modave kalimtare kulturore, por janë të aftë ta jetojnë vërtetësisht atë liri, të cilën mund ta dhurojë vetëm Zoti, kur i përket Atij plotësisht”.
Papa nënvizoi se profecia më e nevojshme është ajo e besnikërisë që, duke u nisur nga besnikëria e Krishtit për njerëzimin, përmes Kishës e shërbimit të meshtarisë, e ndihmon meshtarin ta jetojë meshtarinë e vet në bashkim të plotë me Zotin e me Kishën. Në të vërtertë – vijoi të reflektojë Ati i Shenjtë, meshtari nuk i përket më vetvetes, po bëhet ‘pronë’ e Zotit. Fakti që meshtari i përket “një Tjetri – shtoi Papa- duhet të njihet nga të gjithë, përmes një dëshmie të qartë: “Në mënyrën si mendon, si flet, si i gjykon ngjarjet e botës, si shërben e si do, si sillet me të tjerët, e edhe si vishet, meshtari duhet ta ketë mirë parsysh forcën profetike të përkatësisë së tij sakramentore, thellësinë e qenies së tij. Si pasojë, duhet të ketë shumë kujdes e t’i largohet mendësisë sunduese, që kërkon ta shikojë vlerën e meshtarit jo në qenien e tij, por në funksionin që kryen, duke përjashtuar kështu, veprën e Zotit, e cila ndikon fuqimisht mbi identitetin e thellë të meshtarit, duke e bërë të ngjashëm me vetveten, në mënyrë përfundimtare”.
Misioni i meshtarit - vuri në dukje Papa - është thirrje tejet e lartë. Mbetet mister i madh edhe për ata, që e kanë marrë si dhuratë: “Mangësitë tona e ligështitë tona duhet të na nxisin ta jetojmë e ta ruajmë me fe të thellë një dhuratë të tillë të çmuar, përmes së cilës Krishti na bëri të ngjashëm me Vetveten e pjesëtarë të Misionit të tij shëlbues”.
Papa ripohoi nevojën e një jete profetike, pa asnjë kompromis, që do të ndihmojë në ardhjen e mbretërisë së Hyjit, tashmë të pranishme, dhe në rritjen e popullit të Zotit në fe.
Benedikti XVI e përfundoi fjalimin e tij me një thirrje, që është njëkohësisht edhe sfidë, për meshtarët e sotëm: “Fort të dashur meshtarë, burrat e gratë e kohës sonë kërkojnë nga ju vetëm të jeni deri në fund të fundit meshtarë, e asgjë tjetër. Besimtarët shekullarë do të gjejnë ndër shumë njerëz mbështetje për nevojat e tyre njerëzore, por vetem tek meshtari mund të gjejnë atë Fjalë të Zotit, që duhet ta ketë gjithnjë në buzë”.
Kishat e Evropës mbrojnë familjet e emigrantëve, viktima të ligjeve të padrejta/“është institucioni familjar, ai që vuan më tepër nga ligjet e padrejta, të cilat rregullojnë fenomenin e emigracionit”. Kështu shkruhet në Komunikatën e përbashkët të Këshillit të konferencave episkopale të Evropës e të Konferencës së Kishave evropiane, që u bë i njohur në përfundim të takimit vjetor të Komitetit të përbashkët Ccee-Kek, mbajtur këto ditë në Stamboll, me ftesën e Patrikut Bartolomeu I. Sivjet anëtarët e Komitetit të përbashkët, kryesuar, për Ccee, nga kardinali Peter Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit; për Patriarkanën ekumenike, nga Metropoliti Emanuel i Francës, analizuan fenomenin e emigracionit. Shpesh - denoncojnë Kishat evropiane në Komunikatën përfundimtare, transmetuar nga Agjensia Sir- bërthama familjare detyrohet të shpërbëhet, të ndahet, sepse nuk mundësohet bashkimi familjar. Gjëja që të shqetëson më shumë, është se viktimat e para të politikave të tilla janë fëmijët, të cilët rriten pa dashurinë e pa edukatën, që merret në familje, në praninë e të dy prindërve: babait e nënës. Gjithnjë më shpeh fëmijët mbeten jetimë me prindër gjallë e në rastin më të mirë, u besohen gjyshërve. Themi në rastin më të mirë, sepse nganjëherë lihen edhe në duart e kushërinjve të largët ose të fqinjve.Pasojë e një ndarjeje të tillë, janë format e rënda të depresionit ndër anëtarët e familjes, të cilat nganjëherë arrijnë deri në vetvrasje.
Evropa – shkruhet më pas në Komunikatë - ndoshta është ende e paqartë për pasojat shkatrrimtare që mund të ketë ky fenomen për vetë të ardhmen e saj. Ndërsa duhet ta kuptojë plotësisht se shoqëritë tona nuk mund të bëjnë pa familjen e se bashkimi i familjeve nuk është vetëm në dobi të njeriut, por të mbarë shoqërisë. Në komunikatën përfundimtare, Ccee e Kek, pas tri ditë pune e diskutimesh, ripohojnë se drejtësia e dashuria janë vijat orientuese të sjelljes së çdo të krishteri, përballë fenomenit të emigracionit: “Nga njëra anë, ligjshmëria e drejtësia, e nga ana tjetër, njohja e detyrueshme e dinjitetit njerëzor e dhembshuria për njerëzit më nevojtarë, duhet të formojnë një të tërë të pandarëshme”- nënvizohet në komunikatë.
Marrë nga Radio Vatikani