E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, vritet në sy të fëmijës dhe gruas biznesmeni

Dy persona me maska ndaluan makinën dhe zbritën Astrit Meshnunin, të cilin e ekzekutuan pak hapa më larg

Pronari i një kompleksi tregtar në Shkodër është vrarë dje në një atentat, vetëm pak metra larg derës së shtëpisë. Astrit Meshnuni 38 vjeç, u qëllua me armë, ndërsa i afrohej me makinë shtëpisë, një vilë pranë rrugës kryesore në lagjen “Perash”. Ngjarja ndodhi rreth orës 21.00, kur Meshnuni kthehej në shtëpi. Burime jozyrtare të policisë thanë se të paktën dy persona të maskuar dhe të armatosur i kanë zënë pritë dhe kanë ndaluar makinën e viktimës në rrugicën e errët dhe pa kalimtarë të shtëpisë së tij. Sipas të njëjtit burim, në makinë me Astrit Meshnunin ka qenë edhe gruaja dhe djali i tij i vogël. Atentatorët e kanë nxjerrë burrin nga makina dhe e kanë vrarë vetëm pak hapa larg fëmijës dhe gruas. Vrasësit janë zhdukur menjëherë më pas në errësirë. Në vendngjarje policia mundi të fiksojë vetëm tetë gëzhoja që, sipas ekspertëve, janë qitur me breshëri nga një automatik kallashnikov. Forca të shumta policore, përfshi edhe efektivë të Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar menjëherë zonën dhe kanë filluar kërkimet duke përdorur edhe
qentë. Astrit Meshnuni është gjetur nga fqinjët që kanë dalë sapo kanë dëgjuar të shtënat. Ai është transportuar menjëherë për në spitalin e qytetit, por atje ka gjetur vdekjen vetëm pak minuta pas
hyrjes në sallën e reanimacionit. Policia ka qenë e rezervuar në informacionet në lidhje me motivet e mundshme të ngjarjes së rëndë. Astrit Meshnuni rezulton të jetë person pa precedentë penalë dhe njihej në Shkodër për biznesin e tij, një kompleks tregtar me emrin “Bixhisen”, në hyrje të qytetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›