Rritet çmimi i bukës me 10 lekë në Korçë
Buka do t’u kushtojë më shtrenjtë korçarëve. Duke filluar që nga dita e hënë (dje) të gjitha njësitë e prodhimit dhe të tregtimit të bukës në Korçë kanë nisur aplikimin e çmimit të ri, si efekt i ndryshimeve të tarifave të energjisë, naftës, ujit etj. Konsumatorët në Korçë janë ndier të befasuar, teksa kanë shkuar për të blerë bukë dhe janë vënë para faktit se pavarësisht nga pesha, duhet ta blejnë me 10 lekë më shtrenjtë. çmimi është rritur me 10 lekë për çdo produkt që ka peshën mbi 500 gramë, çka do të thotë se një bukë 60 lekëshe është bërë 70, një bukë prej 70 lekësh tashmë kushton 80 e kështu me radhë në varësi të peshës. Qytetarët thonë se nuk mund t’i përballojnë këto rritje të çmimeve dhe fakti se është bërë edhe shtrenjtimi i bukës i ka vënë para vështirësisë. Kanë qenë kryesisht pensionistët ata që kanë reaguar të parët për rritjen e çmimit të bukës me 10 lekë. “Ne s’na pyet kush se a kemi mundësi financiare të përballojmë këto çmime që rriten përditë. Faturat e dritave vijnë më shtrenjtë, të gjitha ushqimet në treg janë me çmime katastrofike, dhe një pension nuk del. Të paktën të mos rritej buka. Kjo nuk është normale”, thotë Sabah Hoxha, një pensionist. Sipas bukëpjekësve, shtrenjtimi i bukës ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit të miellit nga 38 në 44 lekë, por edhe me rritjen e çmimit të energjisë dhe të nivelit të taksave, të karburantit. Vendimi për rritjen e çmimit të bukës është ndërmarrë nga Shoqata e Bukëpjekësve dhe është aplikuar në të njëjtën ditë për çdo dyqan. Pronarët e pikave të prodhimit dhe të tregtimit të bukës thonë se nuk mund të përballojnë dot aktivitetin pa aplikuar një rritje të çmimit. “Në rast se nuk do të rritim çmimin, duhet të mbyllim dyqanet tona. Ne si biznes nuk mund ta përballojmë një çmim të lartë të miellit, një çmim shumë të lartë të faturës së energjisë, të paguajmë taksa dhe të sigurojmë fitim. Me rritjen e çmimit të miellit, duhej patjetër të rrisnim çmimin e bukës, pasi fitimi është minimal dhe kostoja e prodhimit është e lartë po të llogaritësh shpenzimet që kemi. Kemi vendosur këtë nivel me 10 lekë për çdo asortiment, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë sërish një tjetër rritje, në rast se s’ka fitim”, thotë Lulzim Shala, një nga pronarët e furrave të bukës. Shoqata e Bukëpjekësve bëri të ditur se deri më tani vetëm në Korçë nuk ka pasur rritje të çmimit, duke bërë që ky biznes të mos t’i përballojë dot kostot e aktivitetit.
#