Asnjë dakordësi e palëve nuk mund të dalë mbi ligjin

Hapja e kutive të fletëve të votimit është thjesht në kundërshtim me ligjin. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, shprehet për gazetën “Shqip” se diskutimet apo kompromiset politike nuk mundet t’i tejkalojnë dispozitat e Kodit Zgjedhor, i cili si i tillë rregullon në tërësi administrimin e procesit elektoral. Një marrëveshje që do të zgjidhte krizën politike përmes anashkalimit të Kodit Zgjedhor, sipas kreut të KQZ-së, do të sillte destabilizimin e sistemit juridik në vend. Kështu, artikulimi juridik po përvijohet si antagonist me pretendimet politike, që në këtë rast burojnë nga opozita socialiste. Jo vetëm hapja e kutive, por edhe kërkesa tjetër për “ngrirje të kutive të fletëve të votimit” qëndron jashtë “terrenit ligjor”. Ristani sqaron se Kodi Zgjedhor përcakton në mënyrë të qartë dhe me terma të përcaktuar edhe procedurat për asgjësimin e fletëve të votimit, që sipas tij si afat maksimal do të ketë muajin shtator. “Asgjësimi” është procedura e vetme që lidhet me fletët e votimit pas përfundimit të procesit zgjedhor, çka e bën idenë e rinumërimit një moment të papërligjur në pikëpamje juridike. Në këtë kuptim, shtjellimi teknik i propozimeve që qarkullojnë së fundmi në interes të zgjidhjes së krizës do të duhet që t’i drejtohet një logjike tjetër ligjore dhe jo asaj mbi të cilën opozita ka ndërtuar deri më tani arsyetimet e veta. Por sipas Ristanit, edhe një ndërhyrje e posaçme në ligj ruan efektin e vet vetëm në raport me zgjedhjet e tjera dhe jo me ato që u zhvilluan në 2009, integriteti i të cilave sipas tij ka përligjen e vet brenda zbatimit të Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të institucioneve që ky i fundit ngarkon për administrimin e procesit elektoral.
Z. Ristani, tanimë çështja e fletëve të votimit është bërë pjesë e axhendës politike, që nuk mund të neglizhohet. Duke pasur parasysh këtë dhe në kuptim të Kodit Zgjedhor, mund të na thoni nëse ka një afat final për asgjësimin e tyre? Nëse po, kur mund të thirret mbledhja e KQZ-së që do të vendosë për këtë gjë?
Kodi Zgjedhor nuk përmban një afat limit për veprimet që kryhen me kutitë e votimit pas përfundimit të të gjithë procedurave zgjedhore. Personalisht mendoj se interpretimi i nenit përkatës të Kodit Zgjedhor, duke e krahasuar edhe me Kodin Zgjedhor që kemi pasur, i cili fillimisht parashikonte një afat 6-mujor dhe më pas 3-mujor për djegien e fletëve të votimit, të çon në përfundimin se zbrazja e kutive të votimit duhet bërë menjëherë pas përfundimit të procedurave ankimore zgjedhore. Këto veprime nuk janë kryer akoma, pikërisht për shkak të mungesës së një limiti të shprehur ligjor dhe të marrjes në konsideratë të aktualitetit politik. Megjithatë, edhe kjo gjendje sigurisht që ka një kufi maksimal ligjor. Me daljen e dekretit të Presidentit të Republikës, i cili shpall datën e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, KQZ nis menjëherë punën për përgatitjen e infrastrukturës së këtyre zgjedhjeve. Një pjesë e kësaj pune është edhe bërja gati e kutive të votimit. Besoj se maksimalisht, KQZ do të vendosë për këtë procedurë rreth shtatorit të këtij viti, kohë në të cilën duhet të dalë dekreti i Presidentit.
Situata më e fundit politike po nxjerr në sipërfaqe një propozim të PS-së për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. Në gjykimin tuaj, por edhe në përputhje me aktet e procesit elektoral 2009, a është e mundshme kjo gjë? Domethënë a ka një vendim gjykate (Kolegji) që e pengon një gjë të tillë?
çështja ka nevojë për një sqarim, sepse kam përshtypjen se po ngatërrohemi me këmbët tona. Së pari duhet të biem dakord se kur arsyetojmë për një çështje, duhet të vendosemi në një situatë ligjore. Ligji parashikon që, në këtë moment që ndodhemi, fletët e votimit dhe kundërfletët duhet të digjen, pra me to nuk mund të bëhet asnjë veprim tjetër. është qartësisht dhe lehtësisht e kuptueshme se nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë çështje objekt shqyrtimi gjyqësor, që lidhen me fletët e votimit, në periudhën pas përfundimit të procedurave zgjedhore. E theksoj, ligji parashikon që ato digjen dhe çdo arsyetim apo kërkesë lidhur me një trajtim tjetër të fletëve të votimit dhe kundërfletëve, në këtë moment, është thjesht dhe fare thjesht joligjor.
Për sa u përket dokumenteve që ndodhen në kutinë e materialeve zgjedhore, një pjesë e tyre disponohet nga vetë subjektet zgjedhore, por edhe pjesa tjetër që ruhet në arkivin e KQZ-së, ose në Arkivin e Shtetit, është lehtësisht e disponueshme nga kushdo që ka interes.
E theksoj, për të qenë e qartë për këdo: i gjithë dokumentacioni që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore, pasi KQZ të kryejë procedurat e ngarkuara me ligj, është i disponueshëm nga cilido që ka interes. Zbatimi i ligjit, që është gjëja më afër mendjes, e zgjidh problemin plotësisht.
Së dyti, vendimi i Kolegjit Zgjedhor ka zgjidhur në mënyrë përfundimtare çështjen se kur dy anëtarë të KQZ-së kanë të drejtë të kërkojnë rinumërimin e votave të caktuara dhe cilat janë votat e caktuara, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka trajtuar në vendimet e saj kufijtë brenda të cilëve mund të zhvillohet hetimi parlamentar. Djegia e fletëve të votimit dhe kundërfletëve nuk ka të bëjë me vendimet e gjykatave. Këtë e kërkon ligji dhe askush individualisht apo në grup nuk mund të dalë mbi ligjin. Dokumentacioni që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore është disponibël plotësisht për këdo pa dallim, individualisht apo i organizuar.
Nëse palët do të bien dakord për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, ka nevojë që kjo të shoqërohet me një ndërhyrje ligjore shtesë?
Në pyetjen paraardhëse sqarova se hapja e kutive të votimit dhe veprimet që kryhen me to është një procedurë e rregulluar me ligj. Asnjë dakordësi e palëve nuk mund të dalë mbi kuadrin ligjor, përveçse duke cenuar rëndë stabilitetin juridik të vendit. çdo ndryshim i mundshëm ligjor do të shërbejë vetëm për të rregulluar situatën në të ardhmen.
Hapja e kutive të materialit zgjedhor e bën automatik asgjësimin e fletëve të votimit? A ka bazë, apo si mund të rregullohet juridikisht kërkesa e shprehur nga PS-ja për "ngrirje të kutive të fletëve të votimit"?
Nuk mund të përgjigjem dhe realisht nuk e di se si mund të zgjidhet një situatë e vendosur jashtë terrenit ligjor; “ngrirja e kutive të fletëve të votimit” është një term joligjor, zbatimi i ligjit vetëm për njërën nga kutitë dhe moszbatimi për tjetrën, është një situatë gjithashtu ekstraligjore.
Z. Ristani, mendoni se hapja e kutive të votimit sipas asaj që kërkon opozita do ta cenonte integritetin e procesit elektoral 2009 dhe të administrimit të tij?
Integritetin e procesit elektoral 2009 dhe integritetin e administrimit të tij, ligjërisht dhe institucionalisht, nuk e cenon asgjë. Jashtë ligjit dhe institucioneve duhet ta mendojmë veten në xhungël, ku çdo gjë mund të ndodhë.
#