Tatimet çojnë 5 firma të tjera për faliment
Duke ndjekur udhëzimin e paligjshëm të Financave, tatimet kanë çuar për faliment edhe pesë biznese të tjera VIP
TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shton edhe pesë subjekte tregtare të tjera në listën dërguar gjykatës së shkallës së parë të Tiranës së cilës i ka kërkuar fillimin e procedurave të falimentimit për këto kompani. Të dhënat janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni, ndërsa arsyeja është e njëjtë me të parat: mos shlyerje e detyrimeve tatimore ndaj shtetit.
Që në fillim të javës së shkuar, tatimet publikuan një listë me 27 kompani tregtare për të cilat kërkoi shqyrtimin e falimentimit të tyre nga gjykata, por pas të reagimit të grupeve të interesit, medias dhe verifikimeve të mëpasshme nga kjo listë u hoqën tre subjekte duke e zbritur numrin në 24. Tashmë kësaj shifre i shtohen edhe pesë kompani të tjera duke e çuar numrin në 29 të tilla.
Heqja e tre subjekteve tregtare nga lista fillestare, u shoqërua me largimin nga puna të Përgjegjësit të Tatimpaguesit e Mëdhenj. Largimin e vartësit të tij, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Artur Papajani e lidhi me një riorganizim që po kryhej në këtë drejtori dhe jo me publikimin e listës së bizneseve VIP që sipas tatimeve janë në rrezik falimentimi.
Duket se gjatë këtij muaji do të jenë edhe biznese të tjera ato që do ta shohin emrin e tyre në "listën e zezë" pasi referuar shpjegimeve të, kreut të Tatimeve, Papajani, gjatë shtatorit administrata tatimore do të kryeje verifikim të treguesve të kompanive për të nxjerrë në pah ato biznese që kanë dalë me bilance negative. "Deri në 30 shtator, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve parashikon të publikojë në vijim bizneset që rrezikojnë falimentimin për shkak të bilanceve negative dhe rezultateve me humbje", -do të shprehej ai në media disa ditë më parë.
Sipas ligjit për "Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë", administrata tatimore ka të drejtë që të kërkojë nga gjykata fillimin e procedurave të falimentimit për një subjekt tregtar, nëse prej dy vitesh ka kaluar në status pasiv nga Qendra Kombëtare e Regjistrimeve ; kur detyrimi tatimor i tij konsiderohet i pa mbledhshëm ; kur nuk kanë kryer veprimtari tregtare; kur kanë detyrime të pashlyera ndaj administratës tatimore për një periudhë dy vite që nga hyrja në fuqi e ligjit dhe kur deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht.
Përpilimi dhe publikimi i listës së bizneseve VIP duke i kërkuar gjykatës fillimin e procedurave të falimentimit, shkaktoi një reaksion të gjerë në komunitetin e biznesit dhe në media.
Biznese të ndryshme, emri i të cilave gjendej në këtë listë shpjeguan se nuk kishin pasur bilanc negative pasi ende janë duke investuar ndërsa shtuan se nuk kishin asnjë problem me shlyerjen e detyrimeve tatimore ndaj shtetit. Në të njëjtën linjë reagoi edhe Shoqata e Ndërtuesve, të cilët e konsideruan të nxituar veprimin e tatimeve duke publikuar listën pa bërë verifikimet e duhura. Ilir Hebovija, nëndrejtor i kësaj shoqate, shpjegoi se nuk ka kuptim që bizneset të dërgohen për falimentim vetëm se kanë bilanc negativ, pasi ato mund të jenë ende duke investuar ose janë në vitet e para të shfrytëzimit.