E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritet interesi për pushime në vend, destinacionet si riviera, lumi i Shalës dhe shtegu Theth–Valbonë

Sezoni turistik veror solli një rritje të udhëtimeve nga shkodranët, por edhe një fluks të madh turistësh të huaj që zgjodhën Shqipërinë si destinacion pushimi.

Sipas tur-operatores Lida Haxhija, kërkesa më e madhe ka qenë për pushime brenda vendit. Një nga paketat dominuese ishte ajo e rivierës së jugut, por nuk kanë mbetur pas Lumi i Shalës dhe destinacione të tjera natyrore në veri të vendit.

“Guida preferohen gjithmonë në bregdet. Shkodrani e do detin dhe sapo kemi ardhur nga një guidë fantastike në rivierën e jugut. Paketat tona fokusohen edhe në Korçën e bukur, në Përmetin që ka çdo gjë, dhe nuk mund të anashkaloj një atraksion të jashtëzakonshëm turistik që ka qenë këtë sezon dhe gjithë sezonin e verës: lumin e Shalës,” tha znj. Haxhija.

Një tjetër trend i verës ishte interesi i lartë i turistëve të huaj për paketën turistike të Alpeve, ku përfshihet shtegu i njohur Theth–Valbonë, një nga atraksionet më të kërkuara të turizmit malor. Grupet nga Izraeli përbënë një pjesë të konsiderueshme nga radhët e të huajve.

“Ata ishin absolutisht të fokusuar nga interneti, rrjetet sociale. Normalisht i është dhënë një jehonë e jashtëzakonshme Shqipërisë turistike. Është një trekëndësh shumë i bukur që ofron Thethi, Lidh Thethin, Valbonën dhe lumin e Shalës,” u shpreh tur-operatorja.

Tur-operatorët parashikojnë që edhe gjatë vjeshtës të vijojë kërkesë për ture të ngjashme, duke e shndërruar Shqipërinë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për pushuesit.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›