Vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese, KED publikon listën. Vokshi, Llagami dhe Ballhysa, tre kandidatët me më shumë pikë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka publikuar renditjen e kandidatëve në garë për vendin vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Këshilli i drejtuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, pas verifikimit të të dhënave dhe dosjeve personale të çdo kandidati, vlerësoi kandidatin Asim Vokshi me 89.5 pikë. Pas tij renditet ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, me 89.3 pikë. Lista vijon me ish-komisionerin Florian Ballhysa, ndjekur nga dy ish-anëtarët e vetingut, Alma Faskaj dhe Genta Tafa. I fundit në listën e pikëzuar është Alban Toro, me 74.22 pikë.
Kjo listë prej gjashtë kandidatësh do t’i nënshtrohet edhe fazës së përzgjedhjes përfundimtare. Kandidatët do të shqyrtohen nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët duhet të zgjedhin vetëm një prej tyre si zëvendësues të drejtueses në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Kujtojmë se interpretimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj çoi në përplasje mes Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Zaçaj u emërua në janar të vitit 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha. Duke qenë se emërimi i saj përfshihej në skemën për ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë, sipas Gjykatës së Lartë, mandati i Zaçajt përfundonte më 10 mars të vitit 2025 dhe më 10 dhjetor 2024 ajo duhet të kishte deklaruar mbarimin e mandatit. Duke qenë që një veprim i tillë nuk u ndërmor, Gjykata e Lartë shpalli vakancën për postin e Zaçajt më 11 dhjetor, vendim që u konsiderua nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese si akt në shkelje të Kushtetutës. Sipas Zaçajt ajo ishte zgjedhur në detyrë me mandat 9-vjeçar dhe jo në vend të ish-kryetares Vitore Tusha.
/rtsh.al/