Rritet konsumi i energjisë, diversifikohen burimet. Fotovoltaikët dhe të tjerët prodhuan 2.5 herë më shumë

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, energjia elektrike në dispozicion të konsumatorëve u rrit me 3,2%. Kjo shifër vjen në një kohë kur prodhimi i energjisë në vend u ul me 9,8%.
Të dhënat e INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2024 flasin për një fleksibilitet më të lartë të sistemit përmes shkëmbimeve energjetike.
“Pavarësisht rritjes së konsumit të energjisë elektrike, që është tregues i mirë për ekonominë, se tregon rritjen e konsumit të përgjithshëm, pozitiv është fakti që kemi pasur njëkohësisht edhe një balancim të mirë të kërkesës dhe sigurimit të saj përmes importit,” thotë Lorenc Gordani, ekspert i sektorit energjetik.
Të dhënat e INSTAT-it flasin për një nivel më të lartë të përdorimit të energjisë nga konsumatorët.
“Treguesi i tremujorit tregoi që konsumi është rritur veçanërisht te konsumatori familjar, gjë që e tregon rritjen direkte të mirëqenies,” shprehet z. Gordani.
Ndërkohë të dhënat flasin për rritje të ndjeshme të prodhimit nga burime të tjera johidrike.
“Kemi një rritje të rëndësishme të portofolit të energjive të rinovueshme, fovoltaike, që janë energjitë e së ardhmes. Kemi impiante të një madhësie të rëndësishme, që janë si prodhues të sektorit publik, por veçanërisht të sektorit privat, që nuk synojnë subvencione, por shesin në tregun e lirë,” tregon eksperti i sektorit energjetik.
Humbjet totale në rrjet u ulën me 1,1%, ndërkohë që pesha e tyre në totalin e energjisë në dispozicion ra nga 22% në 21,1%, duke përfaqësuar një efikasitet më të mirë në transmetim dhe shpërndarje.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/