E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet niveli i Liqenit të Ohrit

Shkup - Niveli i Liqenit të Ohrit, është rritur kohëve të fundit për afro 40 cm, ose thënë me fjalorin hidrologjik, në Liqenin e Ohrit, kohëve të fundit kanë hyrë më shumë se 130 milion metër kub ujë. Siç njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA, matjet e fundit kanë treguar se niveli i lartësisë mbidetare tani ka arritur në 693.50 m.

Në periudhën e fundvitit të kaluar gjendja e Liqenit të Ohrit dhe niveli i ujit, paraqitej se kishte arritur gati pikën kritike, duke zbritur në minimumin e nivelit prej 693.10 cm. Kjo sasi e ujit që kohëve të fundit ka hyrë në Liqenin e Ohrit, sipas ekspertëve hidrologjik, është rezultat i shkrirjes së dëborës në malin Galiçica dhe në malet tjera përreth në Maqedoni dhe Shqipëri dhe gjenerimi i burimeve tjera.

Rritja e nivelit të Liqenit të Ohrit, për 40 cm, nuk do ta zgjidhë tërësisht problemin. Sasia e re e ujit, nuk do të mjaftojë, sepse sërish në ndonjë periudhë të thatë, mund të përsëritet situata nga viti i kaluar, e aq më tepër, sipas vlerësimit të ekspertëve, nëse nuk rregullohet çështja e sasisë së ujit që do të lëshohet për nevoja të energjetikës në Shqipëri.

Elementi i avullimit të ujit, në Liqenin e Ohrit është më i theksuar, dhe nga ana e ekspertëve vlerësohet se çdo ditë avullohen rreth 17 metra kub ujë. Gjatë qëndrimit të akademikëve shqiptar në Strugë, Akademik Farudin Hoxha, një nga ekspertët më të mëdhenj shqiptar të energjetikës, theksoi se kuotat në liqejt akumulues në Shqipëri janë gati në maksimum.

“Liqeni për momentin ka sasi të mjaftuara të ujit, mirëpo nëse nuk zgjidhet problemi me sasinë e ujit që do të derdhet përmes lumit Drini i Zi, përsëri mund të arrijmë deri tek kuota minimale që është niveli kritik. Ky sistem rregullator, që është hartuar që më 1960, ka paraparë që të mos lejohet që niveli të bie nën nivelin 693.10 m"-theksoi ai.

Nga sistemi hidroenergjetik i Elektroekonomisë së Maqedonisë, shprehen se janë duke përcjell vazhdimisht lëvizjet e nivelit të ujit në Liqenin e Ohrit. Aktualisht, gjendja është e kënaqshme, ndërsa, kur është fjala për sasinë e ujit që lëshohet nëpër lumin Drini i Zi, ata pohojnë se asnjë pikë ujë nuk lëshohet për nevoja të sistemit energjetik në Shqipëri, por vetëm për nevoja të hidrocentraleve Glloboçica dhe Shpile. Aktualisht, me hapjen e portave të Drinit të Zi, sipas vlerësimeve derdhen rreth 25-30 metra kub ujë për sekondë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›