E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i bizneseve te regjistruara ne QKR

Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të biznesit, në 3 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 4006 biznese të reja, një pjesë e të cilave nga emigrantë të kthyer në atdhe nga kriza ekonomike në vendet e huaja. Kulmi i regjistrimeve ka rezultuar në muajin shkurt, kur u regjistruan 1 731 biznese të reja.
Drejtori i Përgjithshëm i QKR-së, Tom Kola tregon në një intervistë për abc news, se për këtë periudhë është i kënaqshëm edhe treguesi i bizneseve që janë mbyllur, në krahasim me një vit më parë.
Sipas zotit Kola, bizneset më të shumta që nisin aktivitetin e tyre janë ato të tregtisë me shumicë apo me pakicë, të regjistruar kryesisht si persona fizikë.
Sistemi i ri regjistrimit i instaluar pranë QKR-së arrin të koordinojë saktë të dhënat, u jep mundësi subjekteve të interesuar të informohen në kohë reale për statusin e aplikimit të tyre dhe bizneset e reja të regjistrohen brenda 24 orëve kundrejt një pagese vetëm 100 lekë.
Krijimi i QKR-së solli përfitime të rëndësishme për bizneset vendase dhe ato te huaja, për procese më të thjeshta, më të shpejta dhe më pak të kushtueshëm për regjistrimin e një biznesi të ri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›