Parashikime të zymta për ekonominë, shqiptarët duhet të përgatiten për vite të vështira
Institucioni kryesor i ekonomisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka bërë një parashikim shumë të zymtë për ekonominë shqiptare. Sipas FMN, rritja ekonomike për këtë vit për Shqipërinë parashikohet në masën 0.5 për qind, ndërsa për vitin 2013 do të kemi rritje prej vetëm 1.7 për qind. Ndryshe nga parashikimet e mëparshme, kur potenciali i rritjes ekonomike të Shqipërisë vlerësohej në masën 4-5 për qind, parashikimi i fundit thotë se deri në vitin 2017, Shqipëria do të rritet me mesatarisht vetëm 2.5 për qind, raporton Shqip. Me pak fjalë, shqiptarët duhet që të përgatiten për të kaluar disa vite më të vërtetë të vështira.
Rritja prej 0.5 për qind e parashikuar për këtë vit është nga më të ulëtat për rajonin tonë. Potenciali i ekonomisë shqiptare vlerësohet sot nga FMN më i ulët se sa shumë vende fqinje. Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Serbia janë vendet që vlerësohen me më shumë potencial se sa Shqipëria. Ndryshe nga INSTAT, e cila vlerësoi se në vitin 2011 Shqipëria pati rritje ekonomike prej 3.1 për qind, FMN vlerëson se rritja reale ka qenë vetëm 2 për qind.
Ndërkohë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon një rritje ekonomike prej vetëm 1.2 për qind këtë vit për Shqipërinë, që sërish është shumë e ulët, në krahasim me pretendimet e qeverisë shqiptare.
Në raportin e publikuar sot nga BERZH-i Kriza dhe Tranzicioni gjatë analizës së ecurisë ekonomike për 29 vende, përfshirë edhe Shqipërinë theksohet se sfidë për vendin tonë për këtë vit mbetet borxhi publik, i cili ndikon në rritjen ekonomike.
Duke analizuar ndikimin e krizës ekonomike tek familjet në rajon, sa i përket Shqipërisë BERZH-i thekson se familjet shqiptare kanë ulur konsumin ushqimor dhe blerjen e mallrave të luksit.
Nëse në Ballkan kriza ekonomike ka ndikuar në 40 % të familjave, në Shqipëri kriza ka ndikuar në 60% të familjeve.
Gjithashtu BERZH-i thekson se shumë njerëz si pasojë e krizës kanë reduktuar vizitat tek mjeku apo stomatologu, ndërsa shumë familje nuk kanë paguar fare ose kanë shtyrë pagesën e faturave.
Më tej në raportin për Shqipërinë BERZH thekson se është rritur huamarrja në mënyrën informale,me marrjen e parave borxh nëpër të afërm.