E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i fëmijëve të rrugës, lypsët zaptojnë trotuaret e kryeqytetit

Institucionet shtetërore, asnjë nismë integrimi, apo punësimi për grupet vulnerabël


Ata janë me mijëra, të leckosur, të uritur, me sytë e plogësht tek përpiqen të rrëmbejnë ndonjë monedhë, nuk quhen ndryshe veçse lypës. Asnjë fjalë në botë nuk e zëvendëson, tek i sheh kudo në rrugët e kryeqytetit të ulur apo jo në cepat e trotuareve të zbathur apo më ndonjë palë shapka të grisura të bëra hi, me duart e zgjatura tek mbajnë në to ndonjë monedhë.

Kjo panoramë të sjell para sysh legjendën e gjallë të fundvjeçarit. Nëpër mend të vijnë vargje migjeniane rrekesh tu afrohesh e sheh se në trupin e tyre është ngjitur vetëm një këmishë e purpurt, që më shumë sesa e tillë duket si lëkura e tyre, e nxirë nga dielli apo e mavijosur nga i ftohti kjo nuk ka rëndësi. Të vegjlit e prapë që i takojmë kudo në rrugët e Tiranës ata që me fjalët e tyre që shpesh herë  të therin në shpirt e ndonjëherë nuk i kursejnë as situatat  që të krijojnë ankth të lusin e të ngjiten pas, të tërheqin deri sa detyrohesh ti largohesh duke vrapuar e të çlirohesh duke mërmëritur se uf sa janë shtuar kohët e funditjanë qeniet më pak të rëndësishme. Të gjithë ata që nëse të duhet ti numërosh mund të shkosh në shifra marramendëse që arrijnë në qindra e mijëra, janë kudo në trotuaret e grinjta në afërsi të rrokaqiejve, tek ju ngjiten pas edhe zyrtarëve të cilët në të shumtën e rasteve i zbythin me ndonjë shqelm të truprojave të tyre. Por ku ta dinë të vegjlit që pikërisht burrat e gratë e veshur me kostume që shndrijnë e që i ngjisin pa më të voglën kokëçarje shkallët e karrierës së tyre janë të vetmit persona që mund ti vijnë në ndihmë. Lypësa ka kudo edhe në hekurat gri të Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale, dhe ky është insitutucioni përgjegjës për mbrojtjen e tyre. Por edhe pse zyrat për këtë çështje nuk mungojnë asnjë masë nuk është marrë nga kjo Ministri. Vetëm tek tuk, ndonjë prej punonjësve ju hedh nga disa metra larg ndonjë monedhë të vegjëlve që friken sapo shohin policin roje e luajnë me të duke e përqeshur. Në fakt përqeshja është për fatin e tyre të trotuareve aty ku ndoshta edhe mund të kenë lindur. Kryetari i Shoqatës së Mbrojtjes së Fëmijëve Altin Azizaj në një prononcim për gazetën SOT rrëfen se shfrytëzimi i fëmijëve për lypësi është një nga shkeljet më të rënda për të  drejtave të fëmijëve. Sipas tij shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë lëvizje ose projekt të veçantë për mbrojtjen e kësaj kategorie e cila sot është më e braktisur se kurrë ndonjëherë. Gjithashtu instancat shtetërore nuk kanë bërë një punë të mjaftueshme  për ti mbrojtur këta fëmijë nga shfrytëzimi. Ndër të tjera Azizaj thekson se rritja e numrit të fëmijëve të rrugës në të gjitha qytetet e Shqipërisë  të cilët lypin në mënyrë të detyruar e dëshmon hapur faktin që instancat shtetërore nuk kanë bërë asnjë lëvizje për ruajtjen e këtyre fëmijëve nga ky fenomen negative. Sipas Azizaj, Shoqata që ai drejton ka objektiva serioze për këtë kategori e cila tani për tani nuk mbrohet nga askush. Ndër të tjera Azizaj thekson faktin se sipas tij ka ardhur koha që qeveria të zbatojë një program serioz kombëtar për eleminimin e këtij fenomeni. Organizata e quajtur CRCA që prej vitit 2009 ka përgatitur projektligjin Për parandalimin e dhunës dhe shfrytëzimit të fëmijëve  i cili shumë shpejt do të dërgohet për miratim në Kuvend. Ministria e Brendshme premton paketë ligjore masash për të mbrojtur lypësit e rrugës. Rreth tre muaj më parë ka qenë vetë ministri Basha i cili gjatë një takimi me përfaqësuesit e Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik, ka deklaruar se do të merren në mbrojtje fëmijët e rrugës, të cilët shpesh bëhen viktima të trafikut njerëzor. Gjatë takimit me disa organizata, pjesë të koalicionit Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve, Basha i ka kërkuar paraqitjen e të gjitha propozimeve të tyre mbi këtë problem. Ministri shprehu gjithashtu mbështetjen për ti konkretizuar këto propozime në një paketë të plotë masash ligjore dhe sociale për marrjen në mbrojtje të fëmijëve të rrugës. Sipas Ministrit Basha Ministria që ai drejton dhe të gjitha organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve janë partnerë jashtëzakonisht të rëndësishëm të qeverisë në luftën kundër trafikut dhe në këtë kuadër të kësaj kauze ai u ka kërkuar këtyre shoqatave projekte të detajuara për propozimet dhe nevojat tuaja për bashkëfinancim nga qeveria shqiptare.


Masat
Basha nënvizoi rreth tre muaj më parë se ndërkohë janë përcaktuar detyrime të qarta për personelin e Policisë së Shtetit në pikat e kalimit kufitar për të pasur një komunikim të përhershëm me përfaqësuesit e qendrave antitrafik dhe bashkëpunim të ngushtë gjatë intervistimit për identifikimin e viktimave potenciale dhe referimit të tyre për asistencë të pakushtëzuar. Por ndërkohë edhe pse kanë kaluar disa muaj asnjë projekt serioz nuk duket se do të aplikohet për lypësit këto qenie migjeniane që mbushin pa ndalur udhët e kryeqytetit.


Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›