Berisha premton heqjen e TVSH për arsimin
Gjatë ceremonisë së shpërndarjes së Diplomave për studimet master të nivelit të dytë, nga institucioni i Arsimit të lartë Privat, ISSAT, kreu i qeverisë deklaroi ndër të tjera se qeveria do të heqë TVSH PËR Arsimin e Lartë. Në fjalën e tij përshëndetëse ditën e djeshme kryeministri Berisha tha se :Unë ju garantoj se nuk do të jetë e largët dita kur buxheti i shtetit do të shpërndahet si për shkollat publike ashtu edhe për shkollat private. Kryeministri Berisha në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave për studimet Master i Nivelit të Dytë, nga Institucioni i Arsimit të Lartë Privat, ISSAT tha ndër të tjera se gradimi i këtyre studentëve përbën një kontribut të madh në arsimin universitar dhe pasuniversitar të vendit. Kryeministri u shpreh gjithashtu se ky Master ka një meritë të madhe, pasi shumë nga leksionet e tij janë ndjekur në gjuhën angleze. Në këtë kontekst - u shpreh Kryeministri - qeveria javën e kaluar, në kuadër të thellimit të reformës për arsimin e lartë, ka përcaktuar TOEFL-in si kusht për të vazhduar studimet për Master. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se qeveria ka vendosur të heqë TVSH-në për arsimin. Duke filluar nga viti që vjen arsimi është i pari dhe i fundit që do të jetë pa TVSH, sepse për të tjerat do të mbetemi tek të 10-at, u shpreh ai. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se një grup i gjerë drejtuesish dhe specialistësh po punojnë për të adoptuar një sistem të ri financimi, si rruga më e sigurt për të dyfishuar burimet financiare për arsimin. Unë ju garantoj se nuk do të jetë e largët dita kur buxheti i shtetit do të shpërndahet si për shkollat publike dhe ato private, u shpreh kryeministri. Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se do të bëhet çdo përpjekje për të inkurajuar kërkimin shkencor, për të financuar projektet, për të decentralizuar vendimmarrjen për kërkimin shkencor dhe për miratimin e projekteve, me besimin më të madh se ky është një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e universiteteve tona dhe sistemit tonë akademik.