Vasili, mjekëve: Kujdes me ardhjen në jetë, të bebeve talasemike
ka theksuar sot se e gjithë puna e bluzave të bardha duhet të fokusohet për reduktimin e foshnjave talasemike.Kemi një rënie të përqindjes së talasemikëve në vend, por duhet akoma punë për tu bërë pasi në rrethe të tilla si Lushnja, Fieri, Berati, Vlora e Saranda, regjistrohen akoma lindje të reja, u shpreh Vasili. Një prej rreziqeve që kanos shëndetin e talasemikëve është cilësia e gjakut. Ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se siguria e gjakut ka ardhur në rritje çdo vit dhe kjo ka bërë që nga viti 2005, kur u identifikuan 4 fëmijë talasemikë me hiv AIDS dhe 88 të tjerë me hepatit B e C, të mos ketë raste të reja. Në të gjithë vendin numërohen rreth 300 pacientë talasemikë. Nga viti 2004-2007 kanë ardhur në jetë 80 bebe talasemikë, ndërkohë që zonat që kanë përqindjen më të lartë të pacientëve që vuajnë nga talasemia, ose siç njihet ndryshe, nga mungesa e rruazave të kuqe të gjakut, janë Fieri me 22 për qind, Lushnja me 17 për qind, Vlora me 16 për qind dhe Saranda me 12 për qind. Vuajtje nga sëmundja, por edhe frikë nga viruset dhe infeksionet e tjera që mund të transmetohen nga gjaku që marrin. Kjo është gjendja shpirtërore e çdo fëmije që vuan nga talasemia, por edhe e prindërve të tyre. Janë më shumë se 300 të tillë, të cilët çdo tre javë përballen me radhët e gjata për të siguruar sasinë e nevojshme të gjakut. Situata në vendin tonë sa vjen edhe rëndohet. Ndërsa vendet e tjera të Mesdheut e kanë arritur ta zhdukin këtë sëmundje, në vendin tonë vetëm gjatë këtyre tre vjetëve të fundit janë shënuar 80 lindje të reja me talasemi. Parandalimi i saj bëhet vetëm nëpërmjet një analize të thjeshtë gjaku te çiftet e reja për të parë nëse janë bartës ose jo të talasemisë. Ndërkohë, një tjetër propozim ka qenë edhe ai për ndryshimin e teksteve shkollore. Kjo për vetë faktin që njohuritë e para të sëmundjes të merren nga të gjithë që në arsimin bazë. Marrja e këtyre njohurive do të mund të parandalojë përhapjen e sëmundjes. Nga masat e marra në vendet fqinje, kjo sëmundje është zhdukur 100 për qind, ndërkohë që te ne nuk është marrë asnjë masë. Infeksionet e ndryshme, të cilat merren gjatë transfuzionit të gjakut, vazhdojnë të kërcënojnë edhe sot talasemikë, megjithëse kryhen një sërë analizash. Kështu vetëm gjatë vitit të fundit në rrethin e Lushnjës nga dhurimet vullnetare ka rezultuar se gjaku ka rezultuar pozitiv ndaj Hepatitit B dhe C. Kurse për sa u përket dhurimeve me pagesë, situata është edhe më e rendë. Analizat e kryera për të parë pastërtinë e gjakut të dhuruesve me pagesë na kanë treguar se kemi të bëjmë edhe me infeksione të rënda. Kështu kanë rezultuar edhe njësi gjaku, të cilat do të përdoreshin për fëmijët talasemike por të infektuara me sifiliz . Dhuruesit me pagesë janë përjashtuar për shkak të infeksioneve të ndryshme që ata mbartnin. Por, situata e njëjtë është edhe në Tiranë, ku shpesh herë prindërit e fëmijëve me talasemi përballen me vështirësi për të siguruar një njësi gjaku. Nga të dhënat, rezulton se fëmijët me talasemi marrin vetëm 60 deri në 70 për qind të sasisë së gjakut që u nevojitet.