Rritet pagesa mujore për të papunët
Masa për uljen e papunësisë në disa zona të vendit
Rritje të pagesës mujore për të papunët vendosi dje Këshilli i Ministrave në mbledhjen e radhës, duke miratuar rritjen e pagës mujore të papunësisë në 6 565 lekë në muaj. Në total, bëhet fjalë për një rritje prej 200 lekësh të reja, pra për indeksim të pagesës së papunësisë me inflacionin. Ndërkaq, burime nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bëjnë të ditur se po merren masa për uljen e nivelit të papunësisë.
Vendimi
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka dërguar një propozim për rritjen e pagesës mujore për këtë kategori. Menjëherë pas kësaj, propozimi është dërguar në qeveri për miratim. Kështu, Këshilli i Ministrave gjatë ditës së djeshme ka marrë si vendim miratimin e rritjes së pagesës mujore për të papunët. Niveli bazë i së ardhurës nga papunësia të jetë 6 565 (gjashtë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë në muaj, nga 6340 që ka qenë deri tani.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2010, miratuar për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në grupin 25, titull 10 550 kap. 1, art. 606, E ardhura nga papunësia, - përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave.
Papunësia
Ndërkaq, për të ulur nivelin e papunësisë, që është më i theksuar në zonën verilindore të vendit, Ministria e Punës është zotuar se do të ndërmarrë masa më të thella, si edhe do të vazhdojë projektet e deritanishme. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, aktualisht janë krijuar një sërë mekanizmash që zbusin nivelin e papunësisë në vend, krijojnë vende të reja pune, por edhe mundësojnë afrimin e biznesit me zyrat e punës, në mënyrë që vendet e reja të punës të jenë të prekshme nga punëkërkuesit.
Në kuadër të këtyre masave janë realizuar edhe dy projekte të mëdha, të cilat kanë punësuar, sipas Ministrisë së Punës, disa mijë persona. 70 biznese kanë promovuar 2.000 vende të lira pune për të papunët përpara një muaji. Përmes panairit Tregu i punës, Tiranë 2009 për dy ditë me radhë bizneset kanë paraqitur për të interesuarit kërkesat e tyre për vendet e lira. Ndërkohë, një tjetër projekt ka rezultuar pozitiv.
Bëhet fjalë për punësimin e mbi 550 personave, 250 prej të cilëve janë të sapodiplomuar, vetëm pak muaj më parë. Kjo është mundësuar nga programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë, që është nismë e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta e që merr çdo vit një fond të caktuar nga qeveria.
Sipas burimeve nga Ministria e Punës, këto projekte do të shtohen edhe më tej, duke rritur bashkërendimin mes bizneseve dhe zyrave të punësimit.