Rritet përdorimi i istrumenteve eletronike të pagesave

Përdorimi i instrumenteve të pagesave elektronike, si një nga format më të njohura për kryerjen e pagesave në botë, po njeh rritje përdorimi gjithnjë e më shumë edhe në Shqipëri. Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të saj, evidenton se në sistemin bankar gjatë vitit 2008 janë shtuar makinat ATM dhe terminalet POS (ku kryen transaksione me kartë, debiti ose krediti, si VISA dhe MasterCard) për përdorimin e kartave, me një rritje përkatësisht prej 45 dhe 61 për qind, krahasuar me numrin e tyre në fund të vitit 2007. Në fundin e vitit 2008 u shënua një rritje prej 17 për qind edhe për numrin e kartave në qarkullim, krahasuar me fundin e vitit 2007, ku peshë të konsiderueshme kanë patur kartat e kreditit të emetuara gjatë atij viti, me një rritje prej 53 për qind, kundrejt fundit të vitit 2007. Sipas BSH-së, për vitin 2008, në total u proçesuan 8 205 143 transaksione me karta, me një qarkullim total vjetor prej 93.7 miliardë lekë. Ekspertët bankarë vërejnë se nga totali i transaksioneve, rreth 96 për qind përbëjnë tërheqje cash nga ATM-të, ose thënë ndryshe, në përpjesëtim me numrin e popullsisë, mesatarisht një në gjashtë persona është mbajtës i një karte. Çdo kartëmbajtës kryen jo më shumë se 16 transaksione në vit, nga të cilat, 15 transaksione janë tërheqje cash nga banka. Zhvillimet në sistemin bankar në fund të vitit 2008, shënuan dhe një risi tjetër. Gjashtë banka ofruan për herë të parë shërbime "home banking", në formën e produkteve që mundësojnë aksesimin e llogarisë bankare nga shtëpia, nëpërmjet një linje interneti apo një softëare-i, që banka i vë në dispozicion klientit të saj. Përdorimi i këtij shërbimi lidhet ngushtë me ekzistencën e infrastrukturës si dhe aftësinë e klientëve për të përdorur internetin dhe teknologjitë bashkëkohore. Krahasuar me vitin 2007, gjatë vitit 2008 vërehet një rritje e numrit dhe e vlerës së transaksioneve "Home banking", përkatësisht prej 108 për qind dhe 116 për qind, bën të ditur BSH-ja.
...