E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e akzicës ngjall kontrabandën e cigareve



TIRANË – Evazioni fiskal në industrinë e duhan-cigareve po shkakton gropë të madhe në buxhetin e shtetit, me gjithë përpjekjet e qeverisë për të mbushur arkën dhe për të siguruar të ardhura. Kjo rënie ka ardhur menjëherë pas rritjes së akzicës për cigaret, e cila duket se ka dhënë ndikime negative në treg. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se zhdoganimet e cigareve janë më të ulëta jo vetëm sa vitin e kaluar, por edhe krahasuar me pesë vjet më parë. Për 10-mujorin e këtij viti doganat zhdoganuan 3 mijë e 56 tonë cigare, 6.25 për qind më pak se vjet.

Shifrat
Krahasuar me vitin 2006, rënia e zhdoganimeve është edhe më e madhe, rreth 15.7 për qind. Kjo, në një kohë kur të gjitha shifrat zyrtare dhe studimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe OBSH-së konfirmojnë se numri i duhanpirësve në vend vazhdon të mbetet në të njëjtat nivele si ai i 5 viteve më parë. Në kushtet kur në Shqipëri nuk ka prodhim vendas të fabrikuar duhani, rënia e zhdoganimeve të cigareve ka vetëm një shpjegim, atë të kontrabandës. Madje rritja e vazhdueshme e akcizave, që në katër vitet e fundit ka qenë “sporti” më i preferuar i qeverisë, në rastin e cigareve, jo vetëm që nuk po sjell më shumë të ardhura në buxhet, përkundrazi, po nxit evazionin, pasi tregtarët u shmangen taksave të larta. Edhe vetë qeveria duket e dorëzuar përballë këtij fenomeni. Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave, në Shqipëri konsumohen 200 milionë paketa në vit.

Dëmi
Por, në paketën fiskale të vitit 2011, ku miratoi rritjen e radhës me 20 lekë për paketë të akcizës së cigareve, qeveria përllogariti si të ardhura në buxhet vetëm 2.8 miliardë lekë dhe jo 4 miliardë, aq sa duhet të ishte shifra. Kjo çështje është shndërruar në një objekt debatesh të forta mes qeverisë dhe opozitës në Kuvend. Administrata po e humbet luftën me kontrabandën e cigareve, e cila i sjell dëm buxhetit të shtetit në miliarda lekë çdo vit.

Instituti Italian për Tregtinë trajnon punonjësit e administratës

TIRANË - Ambasada italiane, në bashkëpunim me Institutin Italian për Tregtinë e Jashtme, shpërndau diploma të trajnimit të funksionarëve të administratës publike, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Gjatë një kursi 3-ditor, funksionarë të administratës publike kanë trajtuar tema, si: identifikimi i projekteve komunitare, hartimi i buxhetit, kërkesa e fondeve për tender etj. Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Italian për Tregtinë e Jashtme tha se ky proces është shumë i rëndësishëm dhe favorizon integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Duke u ndalur edhe në liberalizimin e vizave, ai u shpreh se lëvizja e lirë do të sjellë përfitime për Shqipërinë në sektorin ekonomik.
“Italia ka pasur një rol të rëndësishëm në liberalizimin e vizave dhe kjo për një arsye të rëndësishme, pasi ne jemi kujdesur për zhvillimin e biznesit”, - theksoi ai.

16 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›