Vasili: Drejt certifikimit të spitaleve
Spitalet dhe qendrat shëndetësore do të akreditohen duke treguar qartazi edhe plotësimin e kritereve për dhënien e shërbimeve shëndetësore. Dje në konferencën e 5-të kombëtare “Përmirësimi i cilësisë në shëndetësinë shqiptare, një domosdoshmëri e kohës”, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në këtë konferencë, bëri me dije se shumë shpejt do të paraqesë për miratim në qeveri kuadrin rregullator për akreditimin e institucioneve shëndetësore, çka e bën procesin e akreditimit zyrtar dhe gati për t’u realizuar. Vasili theksoi se plotësimi i kuadrit ligjor, finalizimi i udhërrëfyesve dhe i protokolleve klinikë, si dhe hartimi e miratimi i Kartës së Pacientit, janë ndër sfidat më të mëdha të realizuara tashmë në fushën e shëndetësisë. “Çdo element i ri që ne fusim në shëndetësi, është një standard evropian”, - u shpreh Vasili, duke shtuar se qytetarët shqiptarë i dinë tashmë standardet të cilat janë të domosdoshme për certifikimin e cilësisë së shërbimeve. Ministri Vasili theksoi se arritjet e deritanishme sanksionojnë një marrëdhënie të ndershme midis mjekut dhe pacientit, duke sjellë një transparencë të plotë, ndërsa vlerësoi se këto arritje çojnë edhe në një kompeticion midis institucioneve shëndetësore, në publik e privat, çka sjell dhe përmirësim të cilësisë së shërbimeve. Hartimi i 105 udhërrëfyesve dhe 115 protokolleve klinike, të cilat do të publikohen së shpejti për të gjithë mjekët e vendit përbën një tjetër arritje e cila u bë publike në konferencë.