Miratohen 3420 bursa studimi për jetimët, fëmijët e policëve dhe ushtarakëve

Afati për miratimin e bursave për vitet e para është data 15 janar 2011, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart është data 15 nëntor 2010
Është miratuar dje dhënia e 3420 bursave të studimit për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentëve të shkollave të larta. Vendimi i marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave qartëson se përfituesit e këtyre bursave janë fëmijë të punonjësve shtetërorë si dhe me statusin e jetimit. Për këtë vit akademik do të jepen 1500 bursa, për nxënësit, dhe 1 920 bursa për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik. Ndërkohë, shtyhen afatet për shqyrtimin e dokumentacionit, ku sipas vendimit përcaktohet se “fati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 janar 2011, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart është data 15 nëntor 2010”.
Vendimi
Bazuar në vendimin nr. 759 datë 15.09.2010 “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte, bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve e të studentëve, në institucionet arsimore publike, për vitin shkollor 2010-2011”, këta studentë rrezikojnë të mos përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj kur janë ndarë nga trungu familjar, kur familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private, vazhdojnë një program të dytë studimi apo edhe kur shpallen mbetës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
Ndërsa bursat e studentëve të viteve të dyta e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga institucionet e arsimit të lartë. Studentët e viteve të dyta e lart që nuk kanë përfituar bursë më parë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund të përfitojnë bursë brenda numrit të bursave të dërguar nga MASH për institucionin.
Bursa
Po kështu, studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, përfitojnë falas veshmbathje, libra, fletore në kuotën 10000 lekë në një vit akademik. Gjithashtu, këtyre studentëve u sigurohet falas, nga institucioni arsimor, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës dhe kartës shëndetësore dhe epikrizës nga qendra spitalore e rrethit. Këta studentë e përfitojnë bursën edhe gjatë pushimeve verore dhe vetëm një vit kur humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jo kaluese. Bursat paguhen çdo muaj, duke kaluar në llogarinë bankare të çdo studenti bursist. Në rastet e veçanta, kur vendimet e këshillave të njësive të pushtetit vendor dërgohen jashtë afatit të përcaktuar në këtë vendim, është ministri i Arsimit dhe Shkencës që ka të drejtë të shqyrtojë dhe rivendosë në afat përfitimin e bursës për studentin.