E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rritja e çmimeve, BSH: Ekonomia do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset dhe sektorin publik

Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare do të vuajë pasojat e rritjes së çmimeve të paktën në dy vitet e ardhshme.

“Shqipëria dhe rajoni po përballen me një realitet të ri çmimesh dhe pasigurie në tregjet botërore. Si ekonomi të vogla dhe të hapura, ne nuk mund t’u shpëtojmë pasojave të këtij realiteti. Në vija të përgjithshme, ekonomia shqiptare do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset dhe bilancet e sektorit publik, për një horizont jo të shkurtër kohor”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ndërsa prezantoi Raportin e Tranzicionit 2021-2022 nga BERZH.

Në këtë situatë, Sejko sugjeron ndërhyrje të përkohshme të politikës fiskale në mbrojtje të shtresave në nevojë.

“Së pari, politikat ekonomike duhet të mbrojnë nga pasojat e goditjes shtresat më në nevojë të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë. Ky objektiv duhet të përmbushet nëpërmjet një ndërhyrjeje të përkohshme dhe të kujdesshme të politikës fiskale, e cila, në çdo rast, duhet të synojë në maksimumin e mundshëm, të mos përkthehet në rritje të fortë të borxhit public”, tha Sejko.

Edhe BERZH vlerëson se në momente të tilla, qeveria duhet të ketë kujdes shtresat në nevojë.

“Ka dhe rreziqe që duhet të përballohen me kujdes dhe ato duhet të jenë në fokus në kuadër të zhvillimeve të fundit që po ndodhin dhe këto goditje lidhen me çmimet e energjisë dhe ushqimeve dhe duhet të ketë më kujdes shtresat në nevojë. Aspekti tjetër është rritja e borxhit publik gjate dy viteve te fundit. Kjo tregon se duhet te rritët hapësira fiskale“, tha Sejko.

Këto vlerësime u ndanë gjatë Prezantimit të Raportit të Tranzicionit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

/rtsh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›