E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rritja e çmimeve, Balla: Opozita po përdor krizën në Evropë për hesape politike! Spaho: Qeveria të marrë masa!

Rritja e çmimeve ka krijuar replika në seanca plenare këtë të enjte në Kuvend. Gjatë një replike me deputetin Edmond Spaho Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se është turp që opozita përdor krizën në Evropë për hesape politike.

“Çështja e çmimeve është një çështje që ka prekur të gjithë Evropën dhe mbarë botën. Është një mjet presioni politik, një armë politike që Rusia po përdor çmimet duke ndaluar eksportet. Dhe kjo është, e di i madh dhe i vogël në të gjithë Evropën. Dhe turpi më i madh është se nuk ka një vend tjetër në Evropë, nuk ka, nuk gjeni një vend të dytë në Evropë që opozita, një pjesë apo të gjithë, shkoni mor bashkë të gjithë, të përdorë këtë moment, kaq kritik për Evropën, për hesape politike”, deklaroi Balla

Nga ana tjetër Deputeti Edmond Spaho, paralajmëroi se nëse qeveria nuk merr masa urgjente dhe të dobishme për të përballur krizën e rritjes së çmimeve, protesta do të marrë përmasa edhe më të mëdha. Deputeti Braho tha se qeveria duhet të marrë masa për të parandaluar këtë krizë e cila sipas tij ka ardhur si pasojë e një qeverie të pa përgjegjshme.

“Protesta është e domosdoshme. Nëse qeveria nuk shkundet do të vazhdojë në përmasa më të mëdha. Nëse qeveria nuk i gjendet qytetarëve të vet në ditën më të vështirë përse e kemi qeverinë. Të gjitha masat që janë marrë në paketën e qeverisë kanë qenë të parashikuara që në muajin nëntor”, tha Spaho.

“Monopolet drejtojnë Shqipërinë sot. Çmimet janë ngritur e do të ngrihen. Nga 2010 janë shtuar dhe 300 lekë taksa. Në nëntor 2021, fuçia ishte me 100 dollar, çmimi ishte 180 lekë për litër. Sot e keni çmimin 100 dollar për fuçi po sa ishte çmimi për litër këtu? Bëni llogaritë. Pse në Shqipëri importohen më pak naftë se në Kosovë që është më e vogël, sepse futet kontrabandë, përzihet nafta. Pse nuk protestohet në vendet e tjera? Sepse ka qeveri të përgjegjshme. Kroacia hoqi akcizën mbi naftën, Maqedonia e uli me 10 cent çmimin e naftës. Greqia ka paraqitur një paketë për të mbrojtur qytetarët dhe fermerët. Polonia uli 40% naftën mbi karburantet. Po qeveria shqiptare? Jo, ajo nuk i ul. Masat janë propagandistike. Mbështetja për fermerët është gënjeshtër. Leje më kur ofroni masat për uljen e tatimeve mbi taksat, për pagën minimale që ofron qeveria. Edhe ajo që thoni për energjinë e keni në buxhet të parashikuar. 20% e energjisë elektrike shpërdorohet nga korrupsioni. E shisni me gjysmë çmimi dhe e blen me 3 fish, 4 fish. Duhet hequr akciza nga karburanti”, tha Spaho.

Kuvendi rrëzoi sot kërkesën e deputetëve të opozitës për të futur në rendin e ditës së Kuvendit, mocion me debat dhe interpelancë me Kryeministrin Edi Rama për gjendjen aktuale me çmimet dhe protestat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›