E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e çmimeve, lista e mallrave dhe e shërbimeve për të cilat do të kompensohen pensionistët

Kategoritë përfituese që përfshihen në skemën e kompensimit financiar. Shuma e kompensimit në lekë sipas të ardhurave mujore të moshës së tretë

Jonida Tashi

Pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe ato familjare indeksohen çdo vit, për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të zgjedhura për
nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Qeveria ka caktuar listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit. Data e indeksimit të pensioneve është data 1 maj e çdo viti. Me një vendim të posaçëm, qeveria ka përcaktuar kategoritë e pensionistëve që mund të përfitojnë shtesa në pensionet e tyre, si rezultat i rritjes së kostos së jetës. Vendimi i qeverisë detajon edhe masën që përfitohet në kushte të tilla. Duke qenë se pensionistët, në këto momente, ndodhen në kushtet më të vështira, pasi disa produkte bazë kanë njohur çmime të larta, kanë të drejtën që të kërkojnë kompensimin që ua njeh ligji. Udhëzimi që zbatohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), bën shpërndarjen e kompensimit mbi pensionin bazë, njëkohësisht edhe mbi rritjen që pensionet kanë pësuar.
Kompensimi
Akti i qeverisë ka përcaktuar edhe kategoritë që mund të përfitojnë kompensim financiar. Pensionistëve, atyre që përfitojnë pensione qyteti, pleqërie, invaliditeti dhe familjar, edhe mbas rritjes, nuk u preken të gjitha kompensimet e të ardhurave mujore të përfituara nga vendimet e veçanta të Këshillit të Ministrave. Sipas vendimit, kompensimi do të jetë i përcaktuar dhe i paprekur, edhe pse pensionet janë rritur kohët e fundit. Sipas vendimit të qeverisë, është përcaktuar se pensionet e reja të qytetit, do të kompensohen sipas kritereve të përcaktuara, atëherë kur të ardhurat mujore të tyre rezultojnë në shumën deri në 10 410 lekë. Të ardhurat mujore të pensionistëve të qytetit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 760 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 10 410 lekë. Në rast se pensioni bazë është më i lartë se shuma 10 410 lekë, atëherë pensionisti nuk ka të drejtë për të kërkuar kompensim financiar. Pensionet e reja të fshatit, do të kompensohen sipas kritereve të vendosura, që kompensimi i të ardhurave mujore të pensioneve të fshatit të bëhet, atëherë kur të ardhurat mujore të tyre rezultojnë në shumën deri në 5 410 lekë. Ndërsa të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 690 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 5 410 lekë. Në rast se pensioni bazë është më i lartë se shuma 5 410 lekë, atëherë pensionisti nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim financiar.
Përfituesit
Çdo vit, si pasojë e ndryshimit të indeksit të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, të vlerësuara bazë për nivelin minimal jetik të pensionistëve, indeksohen: Të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë, pensioneve të invaliditetit, pensioneve familjare, pensionet për merita të veçanta, pensionet për vjetërsi shërbimi dhe çdo pension tjetër, i caktuar sipas Ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”; Të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë, pensioneve të invaliditetit, pensioneve familjare, pensionet e posaçme shtetërore, shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore dhe çdo pension tjetër, i caktuar sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”; Të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë, pensioneve të invaliditetit, pensioneve familjare, të caktuara sipas Ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt të Nenit 96 të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
Ushtarakët
Indeksohen çdo herë dhe në të njëjtën masë me pensionet e pleqërisë edhe: pensionet e caktuara sipas Ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ushtarakëve të Ministrisë së Rendit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror”, Ligjit nr.9418, datë 20.5.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, si dhe përfitimet sipas Ligjit nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”; Pensionet e caktuara sipas Dekretit nr. 758, datë 1.2.1994 të Presidentit “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”; Pensionet e invaliditetit dhe shtesat mbi pension, të caktuara sipas Ligjit nr.7663, datë 20.1.1993 “Për statusin e invalidit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”, si dhe shpërblimi i caktuar sipas Ligjit nr.7874, datë 17.11.1994 “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë”; Trajtimi i veçantë, i dhënë nga Ligji nr.8685, datë 9.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë”; Trajtimet e veçanta, të caktuara sipas Ligjit nr.9179, datë 29.1.2004 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”; Trajtimet e veçanta, të caktuara sipas Ligjit nr.9361, datë 24.3.2005 “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficer e nënoficer, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension”; Trajtimet e veçanta, të caktuara sipas Ligjit nr.9128, datë 29.7.2003 “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, dhe pensionet familjare, të dhëna sipas Ligjit nr.8455, datë 4.2.1999 “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës gjatë fluturimit”.
Llogaritja
Instituti i Statistikave, çdo muaj, duhet të llogarisë indeksin e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, të cilin ia raporton Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Afatet dhe mënyrat e raportimit caktohen me marrëveshje ndërmjet palëve. Instituti i Statistikave duhet të llogarisë koeficientin mesatar vjetor të indeksimit për pensionistët. Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Instituti i Statistikave mund të ndryshojnë zërat analitikë të mallrave të konsumit dhe të shërbimeve, të përcaktuara në shportën e pensioneve, si dhe peshën specifike të tyre ndaj totalit, në varësi të zhvillimeve të përgjithshme ekonomike dhe të nivelit të nevojave parësore, sipas stadeve të zhvillimit.
Koeficienti mesatar vjetor për indeksimin e pensioneve i njoftohet Ministrisë së Punës, dhe Ministrisë së Financave, çdo vit, jo më vonë se fundi i muajit mars. Koeficient për indeksimin e pensioneve duhet të jetë koeficienti mesatar faktik, i vërtetuar gjatë vitit të mëparshëm. Koeficienti i indeksimit të pensioneve dhe data e fillimit të zbatimit miratohen me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Indeksimi i pensioneve, i shtesave mbi pension dhe i trajtimeve të veçanta të përmendura në këtë vendim, bëhet me të njëjtin koeficient. Në rastet kur ndryshimi i indeksit të çmimeve rezulton negativ, shuma e pensioneve individuale në datën e vlerësimit, njihet e drejtë e fituar dhe nuk bëhet rivlerësim.

Masa e kompensimit sipas kategorive
Pensionistët kompensohen:
a) Sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në Vendimet nr. 401, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, dhe nr. 763, datë 27.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, pensionistët, që do të përfitojnë pension të plotë pleqërie, sipas Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar ato, të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të këtij ligji, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, kur të ardhurat mujore të tyre janë deri në 11 275 lekë, ndërsa të ardhurat për pensionistët, që do të marrin pension të pjesshëm, kompensohen në proporcion ndërmjet pensionit individual dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 1 260 lekë në muaj.
b) Sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në Vendimin nr.763, datë 27.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, pensionistët, që do të përfitojnë pension të plotë invaliditeti apo familjar, sipas Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar ato, të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të këtij ligji, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, kur të ardhurat e tyre mujore janë deri në 10 775 lekë, ndërsa të ardhurat për invalidët, që do të marrin pensione të pjesshme, kompensohen në proporcion ndërmjet pensionit individual dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 760 lekë në muaj.
c) Sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në Vendimin nr.17, datë 20.1.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, pensionistët që do të përfitojnë pension të plotë pleqërie, invaliditeti ose familjar, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, kur të ardhurat mujore të tyre janë deri në 6 090 lekë, ndërsa të ardhurat për pensionistët, që marrin pension të pjesshëm, kompensohen në proporcion ndërmjet pensionit individual dhe pensionit të plotë, por jo më shumë se 690 lekë në muaj.

Lista e mallrave dhe e shërbimeve të shportës së pensionistit

Zërat kryesorë të shpenzimeve të konsumit në % (përqindje) ndaj totalit
Ushqim 62.0
Shpenzime për energji elektrike 5.6
Shpenzime për lëndë djegëse 5.0
Shpenzime telefoni 2.5
Shpenzime për ujë 1.0
Shpenzime për pajisje afatgjatë 0.8
Shpenzime për shëndetin 7.4
Shpenzime për detergjente etj. 5.7
Transport 2.0
Kulturë, argëtim 1.2
Duhan, pije alkoolike 3.0
Shërbime 0.3
Veshje 1.8
Artikuj shtëpiakë 0.3
Shpenzime për ceremoni 1.1
Kujdes personal 0.2
Të tjera shpenzime 0.1
Shpenzime gjithsej 100.0

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›