Gripi i derrit, shtohen rastet e prekura nga virusi në Europë
Shtohen rastet e virusit të gripit të derrit në Europë. Në shtetin italian është konfirmuar rasti i fundit, ku një persona ka rezultuar i prekur nga virusi i gripit të derrit. Por situata konsiderohet problematike sepse personi i prekur e ka marrë virusin brenda vendit, pasi nuk ka kryer asnjë udhëtim jashtë Italisë. Ndërkohë që një rast tjetër është verifikuar në Holandë dhe më tej, në Australi. OBSH-ja theksoi se virusi i gripit H1N1 ka infektuar deri tani 3440 persona në 29 vende të botës. Në bilancin e saj më të fundit, që ka tendencë të ulë raportet e çdo vendi lidhur me situatën e përhapjes së sëmundjes së rrezikshme, agjencia e OKB-së për shëndetin publik ndërkombëtar bën të ditur se 45 persona kanë humbur jetën në Meksikë nga virusi i ri i gripit. Qeveria meksikane ka deklaruar se faza më e vështirë e epidemisë së gripit tashmë ka përfunduar dhe ndërkohë ka hequr disa kufizime mbi aktivitetet publike dhe tregtare në vend. Bilanci i fundit i OBSH-së tregon një rritje të numrit të rasteve të konfirmuara në SHBA në 1639 persona nga 896 që ishin raportuar një ditë më parë, ndërkohë që numri i vdekjeve të konfirmuara mbetet dy. Po kështu, raste të reja janë regjistruar në Kanada, duke e çuar në 242 numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga 214 që ishte më parë, ndërkohë që është shënuar edhe rasti i parë fatal në këtë vend.
11 Maj 2009