E Shtunë, 31 Tetor 2026

Informaliteti në kryeqytet, 70% e zonave me ndërtime pa tituj pronësie

Bashkia përcakton shpërndarjen e ndërtimeve me dhe pa leje në kryeqytet. Tirana, çdo vit zihen me ndërtime 200 hektarë tokë

Emanuela Sako

Studimi i fundit i Bashkisë së Tiranës parashikon se 70% e ndërtimeve në kryeqytet janë informale. Ndërsa me përllogaritjen për numër popullsisë rezulton se 43% e popullsisë së Tiranës jeton në informalitet. Sipas specialistëve, shtimi i numrit të popullsisë dhe zënia e tokave pas viteve ’90, pa marrë parasysh titujt e pronësisë, ka bërë që të rritet informaliteti në kryeqytet. Kjo është një pengesë për zbatimin e planit rregullues të kryeqytetit. Specialistët kanë përcaktuar sipas llojit të banimit, ku me ndërtime është e zënë 5 për qind e sipërfaqes së qendrës së qytetit; zonë me banesa të ndërtuara gjatë regjimit janë 9 për qind; ish-fshatrat zënë 3 për qind; zona me densitet të lartë popullsie 6 për qind; zonë historike me vila 6 për qind; zonë qendrore me strukturë mikse 5 për qind. Numri më i madh i popullsisë dhe i banesave është i përqendruar në zonat kryesore. Studimet tregojnë se numri i popullsisë do të shkojë drejt rritjes, ku pritet të trefishohet brenda këtij 10-vjeçari, duke arritur në 1.5 milionë banorë.
Shtimi
Më rritjen e popullsisë së Tiranës ka ardhur dhe shtimi i ndërtesave informale në Tiranë. Sipas një studimi të bërë nga Bashkia e Tiranës për rritjen e popullsisë dhe shtimin e ndërtimeve, rezultoi se rreth 200 hektarë tokë zihen për ndërtime gjatë një viti. Këto ndërtime në zona të ndryshme të Tiranës janë kryesisht ndërtime pa leje, çka ka kthyer një pjesë të periferisë së kryeqytetit në zonë informale. Zgjerimi i kryeqytetit në sajë të ndërtimeve llogaritet se kap shifra të larta të tokave të zëna dhe të shtimit pa kriter të ndërtesave që nuk kanë një projekt të caktuar si zona në qendër apo periferike të një qyteti të madh europian. Për shkak të projekteve të ndryshme për rregullimin e territorit të Tiranës, një pjesë e këtyre ndërtimeve pa leje janë prishur ose rrezikohen të prishen, për shkak të planit zbatues të projekteve të Bashkisë për kryeqytetin. Ndërsa një pjesë e tyre i janë nënshtruar rregullave ligjore, duke u shpronësuar dhe mjaft të tjerë i kanë legalizuar banesat.
Çështja
Për shkak të zgjerimit të hapësirës së ndërtimeve, qytetarët nuk dinë ku të regjistrojnë familjet e tyre dhe se cilës njësi vendore i përkasin. Shtimi i ndërtimeve të reja dhe pa kriter në kryeqytet ka bërë që një pjesë e qytetarëve, që janë banorë të rinj të Tiranës, nuk dinë se cilës njësi vendore i përkasin. Për këtë arsye një numër i madh qytetarësh i janë drejtuar Prefekturës së Qarkut Tiranë për zgjidhjen e çështjes. Por kjo e fundit e ka të vështirë të marrë përsipër kryerjen e evidentimeve në terren dhe zgjidhjen e problemit të qytetarëve. Për këtë arsye, Qarku i Tiranës po përballet me problemet e kufijve administrativë mes disa njësive vendore. Problemi ka qenë ekzistues prej disa vitesh dhe vazhdon të jetë ende një çështje e pazgjidhur për kryeqytetin.

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›