Rritja e ekonomisë këtë vit bazohet në burime të reja
Në vitin 2011, rritja ekonomike pritet të mbështetet më shumë nga kërkesa e brendshme, me një kontribut më të rritur të sektorit privat të ekonomisë, të shprehur në një ecuri krahasimisht më të mirë të konsumit dhe Investimeve private, cilëson Banka e Shqipërisë, në një raport për burimet në të cilat do të mbështetet rritja ekonomike e vendit gjatë këtij viti. Kështu sipas BSH-së, zhvillimet monetare gjatë vitit 2011 do të kenë në fokus rritjen e kërkesës për mjete monetare nga agjentët ekonomikë, privatë dhe publikë. Stimujt monetarë dhe fiskalë pritet të nxisin kërkesën agregate dhe të mbështesin rigjallërimin e ekonomisë. Kontributi i sektorit fiskal në kërkesën agregate, gjatë vitit 2011, pritet të jetë pozitiv, por i vogël. Financimi i deficitit parashikohet të kryhet në pjesën më të madhe nga sektori bankar. Përmirësimi i pritshëm i klimës makroekonomike, lehtësimi i kushteve të kreditimit nga ana e bankave tregtare, si dhe rritja e likuiditetit bankar, njëkohësisht të shoqëruar me aktivitetin e shtuar ekonomik, pritet të stimulojnë një zgjerim të kreditimit të ekonomisë gjatë vitit 2011. Situata e likuiditetit të sistemit bankar parashikohet të jetë e qëndrueshme, ndërsa pozicioni i kredive me probleme pritet të stabilizohet. Sipas Bankës së Shqipërisë, nisur nga ecuria e deritanishme dhe ajo e pritshme e faktorëve kryesorë përcaktues të rritjes ekonomike, ritmet pozitive të rritjes së aktivitetit ekonomik, gjykohet se do të mbarten edhe në vitin 2011. Por, kompozimi i saj pritet të jetë i ndryshëm nga viti që lamë pas. Kështu, kontributi i kërkesës së huaj mund të jetë më i ulët se në vitin 2010, jo vetëm si rrjedhojë e natyrës afatshkurtër të fenomenit të përshpejtimit të eksporteve në sektorin e energjetikës, por edhe prej veprimit të efektit të bazës krahasuese.