Grosistët: Rritja e çmimeve të ushqimeve po nxitet nga eksportet
Çmimet e produkteve të shportës, fruta-perimeve dhe karburanteve, vazhdojnë kurbën e rritjes. Qytetarët shqiptarë prej tre muajs,h më shumë bëjnë xhiro në tregje dhe markete sesa blejnë. Tregtarët e fruta-perimeve dhe marketeve shprehen se xhiroja ka rënë, pasi çmimet janë shumë të larta edhe për ta. “Ne kemi filluar të përzgjedhim artikujt me të cilët furnizohemi, pasi nuk kemi mundësi t’i blejmë të gjitha, duke marrë parasysh shtrenjtësinë e tyre. Kushtojnë tepër edhe për ne, në këtë mënyrë nuk i blejmë, sepse jemi të bindur që edhe qytetarët nuk do t’i blejnë. Vijnë në dyqan, pyesin dhe ikin” - u shpreh një tregtare marketi. Nga një vëzhgim i gazetës “MAPO”, në tregun me shumicë të fruta-perimeve, tek ish-uzina Dinamo, 1 kg qepë kushtonte 100 lekë, po aq sa 1 kg patate. Tregtarët na shpjeguan se kriza e çmimeve të larta ka nisur që në vitin 2008, me krizën ekonomiko-financiare globale. Kurse tanimë, përveç reflektimit të tregut ndërkombëtar, tregtarët na sqaruan se rritja e eksporteve, pra kërkesa për mallrat tona në tregun e rajonit dhe evropian, ka bërë që oferta të bjerë dhe si rrjedhojë çmimi të rritet me pakësimin e produktit vendas dhe me shitjen e mallrave të importit. Ndërsa çmimet e fruta-perimeve nuk rezultojnë njësoj në të gjitha tregjet. Në pikat e shitjes me pakicë në zonën brenda unazës 1 kg domate kushton 170 lekë, 1 kg lakër 200 lekë, 1 kg lulelakër 200 lekë, 1 kg presh 100 lekë, 1 kg panxhar 180 lekë, 1 kg patate 150 lekë, 1 kg trangull 200 lekë, 1 kg patëllxhan 350 lekë, 1 kg kungull 350 lekë, 1 kg speca 300 lekë. Përsa i përket çmimit të karburanteve, edhe ai varion në pika të ndryshme, madje me nisjen e periudhës së rritjes galopante dhe të menjëhershme të çmimeve në këtë treg, shitësit e këtij produkti nuk vendosin më edhe çmimet, duke abuzuar me to. Ata argumentojnë rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit me ndikimin e bursës ndërkombëtare. Ndërsa pas trazirave në Libi dhe Tunizi, vende ku prodhohet naftë, ku është ulur prodhimi i këtij produkti, në krahasim me prodhimin përpara krizës, një fuçi naftë në bursën ndërkombëtare ka arritur në 126 dollarë dhe pritet të shkojë deri në 220 dollarë. Duke iu referuar kësaj situate, tregtarët e karburanteve në vend kanë nisur të rrisin çmimin e benzinës dhe naftës tri ditët e fundit, duke i çuar në nivelin e rreth një muaji më parë, ku çmimi i këtij produkti arriti rekordin e dy viteve të fundit. Një litër naftë kushtonte dje nga 150 – 160 lekë, ndërsa benzina 156 lekë/ litër. Ndërkohë, ekspertët shprehen se, përveç ndikimit të tregut ndërkombëtar, ka edhe abuzim në rritjen e çmimeve të produkteve. Sipas tyre, qeveria në këtë rast mund të ndikojë me politika fiskale, duke ulur taksat.