E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ kërkon sqarime për ndalimin e gazetarit në kufi

Problemi mes Greqisë dhe Shqipërisë për kalimin e lirë të kupriti duket se ngjallet kohë pas kohe. Rasti më i fundit ishte ai i gazetarit Marin Mema të cilit iu hoq e drejta për jetë të shkelë shtetin helen. Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka kërkuar sqarime nga ambasada greke në Tiranë në lidhje me moslejimin për tu futur në Greqi të gazetarit të Top Channel, Marin Mema me pretendimin se ai përbënte rrezik për sigurinë kombëtare të vendit fqinj. Në mungesë të ambasadorit grek, për më shumë se 40 minuta, në Ministrinë e Punëve të Jashtme u thirr përfaqësuesi i ambasadës greke në Tiranë, zoti Evangelos Tsolkas, i cili u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie, Gazmend Turdiu.

Sqarimi i ngjarjes

Pas takimit nëpërmjet një deklarate Ministria e Punëve të Jashtme thotë se ka ndjekur me shumë shqetësim ngjarjen e së dielës, kur gazetarit të Top Channel, zotit Marin Mema iu refuzua hyrja në territorin e Republikës Greke nga autoritetet e policisë kufitare në pikën e kalimit të kufirit në Qafë-Botë. Lidhur me këtë rast, thuhet në vijim të deklaratës, Sekretari i Përgjithshëm i MPJ, z. Gazmend Turdiu u takua me Evangelos Tsolkas i Ngarkuar me Punë ad interim i Greqisë në Tiranë. (në mungesë të ambasadorit grek). Ministria e Punëve të Jashtme gjykon se pengesat në realizimin e të drejtës për lëvizjen e lirë, nuk janë në përputhje me vullnetin e shprehur nga të dy palët, me nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe japin një sinjal jo pozitiv. Sekretari i Përgjithshëm i kërkoi përfaqësuesit të Ambasadës greke arsyen përse gazetari Marin Mema cilësohet person i padëshiruar në regjistrin kombëtar të Republikës Greke.

Shoqatat e gazetarëve reagojnë për ndalimin në kufi

 

 

Ylli Rakipi kryetar i Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar ndalimin e gazetarit të Top-Channel, duke deklaruar se shteti grek ka probleme madhore për të zgjidhur, dhe jo të merret me të tilla forma mesjetare. Është një keqardhje përpara se të jetë një protestë e madhe nga ana jonë, nga ana e gazetarëve shqiptarë, nga ana e opinionit publik, është një keqardhje, pastaj është një protestë sepse ne nuk duam të kthehemi pas. Të gjithë i njohim vlerat e demokracisë që është edhe lëvizja e lirë, aq më tepër nuk mund të ndalohet një gazetar, nuk mund të ndalohet që ai të flasë, nuk mund ti thuhet atij që nuk duhet të flasë. Autoritetet shqiptare duhet të ndalen fort në këtë rast, është një rast që duket qesharak, por që në të vërtetë është shumë serioz. Autoritetet shqiptare duhet ti thonë stop këtij veprimi të palës greke ndaj gazetarit Marin Mema, tha Ylli Rakipi, kryetar i Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë.

Pakti për kufirin detar, Malaj:

Greqia jo presion me statusin

Teksa Tirana zyrtare pret të ulet përballë shtetit helen për të negociuar për herë të dytë marrëveshjen detare, opozita i bën apel Greqisë të mos e vërë paktin kusht për votën e saj pro, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Deputeti i PS, Arben Malaj, teksa kërkon që autoritetet shqiptare të hedhin dritë hap pas hapi mbi negociatat, i kërkon Greqisë të mos vërë veton e saj për aspiratat integruese të vendit tone. “Nuk besoj që ka një qëndrim zyrtar nga Greqia për të bllokuar statusin e vendit kandidat për negociatat për vijën kufitare detare. Greqia nuk mund që në mënyrë të përsëritur të bëhet bllokuese e proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor apo fqinjëve të saj. Edhe për vetë Greqinë, nëse do të jetë e vërtetë, kjo është rruga e gabuar për të përdorur atë instrumentin e veçantë që ka procesi i anëtarësimit në BE, qe vetoja e një vendi të vetëm mban pezull procesin e integrimit të anëtarëve të saj të rinj”, shprehet deputeti. Në intervistën për Ora Neës, deputeti komenton edhe shkarkimin e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri dhe akuzat e hedhura në adresë të tij nga mazhoranca për ndërhyrje në jetën e brendshme politike. Këto ndryshime pa transparencën e nevojshme dhe pa hapat institucionalë cenojnë kredibilitetin e ndërtimit të shtetit ligjor. Elementi i dytë ka të bëjë me kredibilitetin e Presidentit të ri. Detyra bazë e një Presidenti është të ndikojë që vendi të ketë demokraci funksionale, çka do të thotë ndarje e pushteteve e kontroll të tyre. Vlerësimi publik që SHISH ka marrë nga partnerët ndërkombëtarë, duke nisur nga NATO e SHBA është më i madh, më i vlefshëm, më i dobishëm se çdo rast tjetër nga të cilat qeveria pretendoka se mund të kishte bashkëpunim më të mirë institucional”, thekson ai. Duke u ndaluar tek kufizimi i imunitetit, deputeti Malaj deklaron se dështimi në përmbushjen e këtij detyrimi dhe prioriteteve të tjera të vendosura nga KE do të dëmtojë rrugën integruese të Shqipërisë. “Dështimi për të plotësuar të 12 prioritet dhe mungesa e bashkëpunimit për të gjetur disa zgjidhje konsensuale që nuk cenojnë shtetin ligjor, por për disa reforma të domosdoshme, por që nuk u arrit dot do të kenë një rezultante të hidhur”, përfundon Malaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›