E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e pagave dhe pensioneve kushton 120 milionë dollarë

Ministria e Financave publikon faturën: Kategoritë që përfitojnë

Ministria e Financave publikoi dje faturën e rritjes së pagave dhe pensioneve, duke nisur nga muaji korrik 2010. Si reagim ndaj akuzave të PS-së, zyrtarët e ministrisë saktësuan se rritja e pagave dhe pensioneve kap një vlerë vjetore në shumën 12 miliardë lekë.

Nga kjo rritje pensionesh dhe pagash do të jenë 540 mijë pensionistë që do të marrin një pension shtesë në harkun e një viti dhe mbi 100 mijë buxhetorë. Sipas ministrisë, do të jenë rreth 50 mijë punonjës të arsimit që do të marrin 30 mijë lekë të reja shtesë nga kjo rritje e pagave (ose 80 për qind shtesë rrogë e plotë mujore), si dhe do të jenë 30 mijë mjekë dhe infermierë që do të marrin një pagë shtesë në vit.

“Rritja e pagave dhe pensioneve nga ana e qeverisë reflekton situatën tërësisht pozitive të financave publike të vendit”, deklaroi dje Ministria e Financave.

Po nga ministria vijnë shifrat në rritje të të ardhurave nga dogana. Sipas tyre, në muajin qershor, të ardhurat e realizuara në dogana ishin 2.3 miliardë më të larta se qershori i një viti më parë, ose 28 për qind më shumë, si dhe 4 për qind më të larta se programi fillestar i këtij viti.
“Zëri i të ardhurave që ka nivelin më të ulët të realizimit janë të ardhurat e Ramës dhe të bashkive të tij, që kanë krijuar si 5-mujor një deficit prej 4.1 miliardë lekësh, ose sa 58 për qind e planit të vitit”, tha ministria.

Në anën tjetër, shpenzimet janë realizuar sa 95 për qind e programit fillestar, ose 3 për qind më pak se 5-mujori i vitit të kaluar. Investimet publike si 5-mujor janë 26 miliardë lekë, ndërkohë që huamarrja në fund të 5-mujorit është vetëm 12 miliardë lekë, saktësuan shefat e financave. Në këtë kuadër, burime zyrtare nga ministria bëjnë me dije se deficiti vjetor jo vetëm që është së paku 30 për qind më i ulët se mesatarja e 8 viteve të qeverisjes së socialistëve, por do të vijojë të ulet më tej me masat që së shpejti qeveria do t’i propozojë Kuvendit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›