Këshilli i Sigurimit të OKB-së, të martën debaton për Kosovën
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, të martën debaton për Kosovën. Nga ana tjetër, zyrtarët e BE-së e dënuan sulmin në Mitrovicë. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka kërkuar një sesion të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të diskutuar për tensionet në rajon, raporton Radio Evropa e Lirë. “Serbia edhe njëherë po ballafaqohet me sfida të mëdha në Kosovë. Qytetarët tanë në Kosovë janë sulmuar”, tha Tadiç. Ambasadori i Nigerisë në Kombet e Bashkuara, Joy Ogwu, që është kryesues i KS-së për këtë muaj, tha se Këshilli i Sigurimit do të njoftohet për incidentin, të martën më 6 korrik, dhe se në të do të jetë i pranishëm Boris Tadiç. Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian, Herman Van Rompoy dhe Ketrin Eshton, e kanë dënuar sulmin dhe kanë shprehur shqetësim për “incidentin tragjik dhe krejtësisht të panevojshëm në pjesën veriore të Mitrovicës”. Presidenti i Bashkimit Europian, Van Rompoy, ka kërkuar “kthimin e menjëhershme të paqes” dhe u ka bërë thirrje “të gjitha palëve që të sillen me përgjegjësi”. Shefja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton, i ka bërë thirrje policisë së Kosovës, që me mbështetjen e EULEX-it “ta hetojë këtë incident dhe të sigurojë që kryerësit të nxirren para drejtësisë”. Ky “mesazh i zonjës Eshton u është dërguar autoriteteve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e një zëdhënësi të saj.
#