E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP: Gati fondi për ish-pronarët

Kreu çefa: Procesi i legalizimeve ka gjeneruar 10 milionë dollarë

Procesi i legalizimeve ka gjeneruar miliona dollarë të ardhura në favor të ish-pronarëve të atyre tokave të zëna nga ndërtimet pa leje. Fondi i krijuar do të ndahet shumë shpejt, në pritje të futjes në fuqi të vendimit të qeverisë që përcakton rrugën e shpërndarjes së parave. Janë rreth 10 milionë dollarë të ardhura nga taksat dhe tarifat e paguara nga individët që legalizuan ndërtimet pa leje, fond që tashmë u kalon pronarëve të këtyre tokave, por edhe atyre që u është marrë toka nga shteti. Paratë do të shpërndahen nga Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave. Sipas drejtorit të përgjithshëm, Elvis çefa, fondi i krijuar do të shpërndahet vetëm 5 ditë pasi vendimi i qeverisë i datës 19 maj 2010 të hyjë në fuqi, duke u botuar në Fletoren Zyrtare.

“Sipas informacioneve me ALUIZNI-n, shifra i kalon mbi 1 miliard lekë të reja, që do të shpërndahen këtë radhë. Rreth 10 për qind ose 20 për qind të parave shteti do t’ua japë këtyre ish- pronarëve. Të gjitha subjektet që janë në ato lista do të kenë mundësi të marrin këstin e parë të parave të tyre”, tha kreu i AKKP-së.

Shoqata për Pronësi e Drejtësi pretendon se qeveria duhet të mbledhë akoma e më shumë, pasi vlera e pronave të zaptuara nga ndërtimet pa leje është më e madhe. Të dhënat që ofron shoqata tregojnë se numri i pronarëve të kësaj kategorie është rreth 1600 dhe pretendimi i tyre është për 46 milionë euro që duhet të gjenerohen nga legalizimet.

“Janë tashmë 6 vendime të Këshillit të Ministrave që përcaktojnë listën dhe shumën përkatëse kundrejt çdo emri. AKKP me VKM e miratuar para pak ditëve do të bëjë thjesht rolin e arkëtarit në shpërndarjen e parave për këta persona”, tha çefa.

Drejtuesit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave thonë se, pavarësisht aplikimit, paratë për të gjithë ish-pronarët e njohur me vendim qeverie janë në fondin special të kompensimit, pra e drejta për t’u kompensuar nuk humbet.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›