E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e përballueshme e Azisë?

06-05-2012 / Nga Brahma Chellaney

Një temë e pëlqyer në debatet ndërkombëtare të këtyre ditëve është ajo nëse rritja e Azisë nënkupton rënien e Perëndimit. Mirëpo, vëmendja aktuale kushtuar pafuqisë ekonomike në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e tërheqë vëmendjen nga sfidat e shumta serioze që e vënë në pikëpyetje suksesin e vazhdueshëm të Azisë. Në fakt, ndryshimet e vazhdueshme të pushtetit global sot janë të lidhura pikësëpari me rritjen fenomenale ekonomike të Azisë, shpejtësia dhe shkalla e së cilës nuk ka pasur të shembull në historinë e botës. Me ekonomitë me rritjen më të shpejt në botë, me shpenzimet ushtarake që kanë rritjen më të shpejtë, me konkurrencën e ashpër të resurseve dhe pikat e nxehta më serioze, Azia pa dyshim se e mban në duart e saj çelësin e rendit të ardhshëm global. Mirëpo, Azia përballet me kufizime të mëdha. Ajo duhet të përballet me përçarjet e kamotshme territoriale dhe detare, si në Detin e Kinës Jugore; trashëgimitë dëmtuese historike që i qesin telashe në marrëdhëniet e rëndësishme ndërshtetërore; nacionalizmin gjithnjë e më të zjarrtë; ekstremizmin islamik në rritje dhe konkurrencën e ashpërsuar rreth ujit dhe energjisë. Për më tepër, integrimi politik i Azisë ngec dukshëm prapa integrimit të tij politik, dhe, për t’i komplikuar edhe më shumë gjërat, vendi nuk ka një kornizë sigurie. Mekanizmat këshillues rajonalë mbesin të dobët. Dallimet e thella vazhdojnë rreth asaj nëse një arkitekturë sigurie apo komuniteti duhet të zgjerohen përreth Azisë, apo të vazhdohet me “Azinë Lindore” jo dhe aq mirë të mbrojtur. Një brengë e rëndësishme është ajo se, për dallim nga luftërat e përgjakshme të gjysmës së parë të shekullit në Evropë që e bënë konceptin e luftës aty të paimagjinueshëm sot, luftërat në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë në Azi vetëm sa i theksojnë edhe më shumë rivalitetet e ashpra. Disa luftëra ndërshtetërore janë zhvilluar në Azi që nga viti 1950, kur lufta e dy Koreve dhe aneksimi i Tibetit nisën, pa i zgjidhur përçarjet e tjera të dukshme aziatike. Në njërin prej shembujve më të dukshëm, Kina ndërmerrte intervenime ushtarake edhe kur ishte e varfër dhe në telashe të brendshme. Një raport i Pentagonit i vitit 2010 përmend intervenimet ushtarake kineze në vitet 1950, 1962, 1969 dhe 1979 në emër të mbrojtjes strategjike. Kina i ka marrë po ashtu edhe Ishujt Paracel nga Vietnami në vitin 1974 dhe ka okupuar më 1995 ishujt Spratly, me gjithë protestën e Filipineve. Kjo histori ndihmon në shpjegimin e asaj se pse pushteti ushtarak me rritje të shpejt i Kinës shkakton shqetësime të mëdha në Azi sot. Ç’është e vërteta, që nga rritja e Japonisë në statusin e fuqisë botërore gjatë mbretërimit të Perandorit Meiji (1867-1912) asnjë fuqi joperëndimore nuk është shfaqur me një potencial të tillë për t’i dhënë formë rendit global. Mirëpo, këtu ekziston një dallim i madh: rritja e Japonisë ishte e shoqëruar nga një tjetër rënie e civilizimit aziatik. Mbi të gjitha, që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, evropianët kanë kolonizuar pjesën më të madhe të Azisë, duke mos e lënë asnjë fuqi aziatike që mund ta frenonte Japoninë.
Sot, Kina po rritet përskaj shteteve të tjera të rëndësishme aziatike, përfshirë Korenë Jugore, Vietnamin, Indinë dhe Indonezinë. Ani pse Kina tani ka zëvendësuar Japoninë si ekonominë e dytë më të madhe në botë, Japonia do të mbetet një fuqi e madhe për një të ardhme të parashikueshme. Për sa i përket GDP-së, Japonia mbetet nëntë herë më e pasur se Kina dhe posedon flotën më të madhe detare të Azisë si dhe industritë më të avancuara të teknologjisë. Kur Japonia u shfaq si një fuqi botërore, pasoi pushtimi perandorak, ndonëse impulset e rritura ekspansioniste të Kinës janë, deri në një farë mase, të kontrolluara nga fuqitë e tjera aziatike. Në aspektin ushtarak, Kina nuk është në pozitë që t’i kapë territoret që mbulon. Mirëpo, shpenzimet e saj në fushën e mbrojtjes janë rritur pothuajse dyfish më shpejt se sa GDP-ja e saj. Dhe, me të zgjedhur betejat territoriale me fqinjët dhe me të ushtruar një politikë të jashtme muskulore, liderët e Kinës po i detyrojnë shtetet e tjera aziatike të punojnë më nga afër me SHBA-në dhe me njëra-tjetrën. Në të vërtetë, Kina duket të jetë në të njëjtin shteg që e bëri Japoninë një shtet agresiv dhe militarist, me pasoja tragjike për rajonin – dhe për Japoninë. Riparimi i Meijit krijoi një ushtri të fuqishme nën sloganin “Pasuro shtetin dhe përforco ushtrinë”. Ushtria më në fund u bë aq e fortë sa që mund t’i diktonte kushtet një qeverie civile.
E njëjta gjë mund të pritet në Kinë, ku Partia Komuniste gjithnjë e më shumë po mbështetet në ushtri për ta ruajtur monopolin e vet në pushtet. Më gjerësisht, dinamikat e pushtetit aziatik do të mbesin të paqëndrueshme, me aleanca të reja apo të ndryshueshme dhe me kapacitete të shtuara ushtarake që vazhdojnë ta sfidojnë stabilitetin rajonal. Për shembull, derisa Kina, India dhe Japonia manovrojnë për avancime strategjike, ato po i transformojnë marrëdhëniet e tyre reciproke në një formë që sinjalizon angazhim më të madh strategjik ndërmjet Indisë dhe Japonisë dhe konkurrencë më të ashpër ndërmjet tyre dhe Kinës. E ardhmja nuk do t’i përkasë Azisë vetëm për shkak se ai është kontinenti më i madh, më i populluar dhe me zhvillimin më të shpejtë në botë. Madhësia jo domosdo është një aset. Historikisht, shtetet e vogla dhe strategjike kanë zotëruar pushtetin global. Në të vërtetë, me më pak njerëz, Azia do të kishte balancë më të mirë ndërmjet madhësisë së popullatës dhe resurseve të disponueshme natyrore, përfshirë ujin, ushqimin dhe energjinë. Në Kinë, për shembull, mungesa e ujit është përllogaritur se i kushton përafërsisht 28 miliardë dollarë prodhimtarisë industriale në vit, edhe pse Kina, për dallim nga disa ekonomi të tjera të Azisë, përfshirë Indinë, Korenë Jugore dhe Singaporin, nuk figuron në listën e Kombeve të Bashkuara si një shtet që përballet me pamjaftueshmëri të ujit.
Përveç sfidave politike dhe të resurseve natyrore, Azia ka gabuar me mbitheksimin e rritjes së GDP-së në përjashtim të indekseve të tjera të zhvillimit. Si një rezultat i kësaj, Azia është bërë më e pabarabartë, korrupsioni ka shënuar rritje, pakënaqësia e brendshme po shtohet, ndërsa degradimi ambiental po bëhet një problem gjithnjë e më i madh. Edhe më keq, derisa shumë shtete aziatike kanë përqafuar vlerat ekonomike të Perëndimit, ato i refuzojnë vlerat e veta politike. Prandaj, mos bëni gabim. Sfidat e Azisë janë më të rënda sesa ato me të cilat përballet Evropa, të cilat mishërojnë zhvillimin gjithëpërfshirës më shumë se në çdo pjesë tjetër të botës. Me gjithë aurën e pashmangshmërisë së Kinës, tani është më se e qartë se Azia, me gjithë sfidat e saj, gjithnjë e më shtypëse nga brenda, do të jetë në gjendje që t’i prijë rritjes globale dhe ta formësojë rendin e ri botëror.

Brahma Chellaney, profesor i studimeve strategjike në Qendrën për Studime Politike në New Delhi, është autor i librit ‘Pesha aziatike dhe uji: Fushëbeteja e re e Azisë’

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›