Censusi i fqinjëve dhe siguria e Kosovës
Sipas censusit të pesëmbëdhjetë, të kryer që prej vitit 1861, rezulton se aktualisht në vendin fqinj popullsia është 59.464.644. Në fakt flitet për residentë duke patur si pikë referimi datën 9 tetor të viti 2011, kur është kryer fotografia e regjistrimit nga ana e Instat - it. Sipas Instat-it krahasuar me vitin 2001, vendi fqinj i Italisë ka një rritje prej 2.468.900 rezidentësh (+4,3%). Ndërkaq ka një rritje edhe të numrit të familjeve të cilat nga 21.810.676, tashmë janë 24.512.012. Meshkuj janë më të paktë se femrat dhe arrijnë në 28.750.942, ndërsa femrat në 30.713.702, që sipas Instat Italia do të thotë që në 100 banorë 52 janë femra. 46% banojnë në veriun e Italisë, 19% në qëndër të gadishullit italian dhe 35% në jug dhe ishuj. Ndërkaq është trefishuar numri i të huajve të cilët në vitin 2001 ishin 1.334.889, ndërsa sot janë 3.769.518. Krahasuar me regjistrimin e parë të kryer në vitit 1861, prej Bashkimit të Italisë vendi fqinj është shtuar trefish dhe nga 22 milionë banorë ka kaluar në 59,5 milionë. Bashkia më e madhe është Roma me 2.612.068. Janë regjistruar gjithashtu 3 milionë shtëpi të pabanuara. Nga ana tjetër duke lënë mënjanë shifrat e Instat - Italia në Itali është po rritet puna e vetë italianëve në sektorin e agrikulturës. Tashmë janë vetë italianët që i bëjnë këto punë që deri më dje kryheshin nga të huajt. Sipas Konfagrikulturës italiane ka “një rritje të kërkesës për punë nga ana e atyre që kanë humbur punën në sektorë të tjerë prodhues”. Në të njëjtën kohë ka një rënie të punëtorëve sezonal: “ka një ulje të krahut të punës nga jashtë dhe rreth 25 mijë vende pune do të jenë për italianët”. Natyrisht përpjekjet e qeverisë italiane për daljen nga kriza kanë qenë të shumta madje qeveria e Montit është përgëzuar për punën që ka kryer. Këshilla për Italinë janë dhënë edhe nga nobelisti për ekonominë Joseph Stiglitz i cili i ka sugjerur presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Montit që të “përqëndrojë aksionin e tij jo tek shkurtimet e shpenzimeve publike, por tek rritja e rrogave” sepse opsioni i parë kushton më shumë se i dyti. Rritja e rrogave “mund të bëhet në mënyrë progressive. Duhet nxitur ekonomia sa më shpejt që të jetë e mundur sepse është papunësia që krijon defiçit dhe jo anasjelltas” - ka shtuar profesori amerikan i cili ka kujtuar në të njëjtën kohë se është njohur me presidentin e Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti kur ai ishte Komisari Europian i Konkurencës duke nënvizuar se është një ekonomist i mirë. Si për t’ju përgjigjur profesorit amerikan, Mario Monti, ka nënvizuar se që të ketë rritje do të duhet edhe pak kohë sepse rritja jonë e pakët vjen nga shkaqe kulturore që paraqet vendi. Gjithsesi “është e rëndësishme të kemi bindje të plotë për këtë. Mos të presim shumë gjëra nga reformat strukturore si ajo e punës, siç dëshmon dhe eksperienca amerikane” - ka nënvizuar presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti. Ndërkaq presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë ka shtuar se: “Do të jemi shumë të vendosur kundër evazionit fiskal”. Politika e qeverisë Monti ndërkaq po fokusohet edhe tek ikjet masive të emigracionit të ri profesional Italian. Përsëri sipas statistikave, italianët residentë jashtë shtetit për moshën 20-40 vjeç, po “braktisin” Italinë, sidomos nga veriu i Italisë. 4.768 kanë ikur nga Lombardia, 2.568 janë venetë ndërsa nga ishulli i Siçilisë 2.418. 20 - 40 vjeçarët në vitin kanë qenë 27.616 një shifër pak më e rritur kjo se ajo e vitit 2010, kur ishte 27.246. Po ku shkojnë? Më shumë shkojnë në Europë, rreth 19 mijë, por edhe në Amerikë rrreth 7 mijë. Në Gjemani 3549, në Angli 3366, Svicër 3118, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 1821, Argjentinë 1817, por edhe në Australi apo Kanada. Deputeti Italian, Guljelmo Vakaro, është i kënaqur për mënyrën sesi do të procedohet tashmë kundër eksodit të italianëve sipas ligjit të hartuar “kundër eksodit të italianëve” për të kthyer trurin nga jashtë. Vetëm disa ditë më parë në shenjë proteste ky deputet kërkoi të jepte dorëheqje nga parlamenti nëse nuk do të aprovohej ky ligj. Flietet për 10 mijë në vit, të diplomuar, rreth 1000 të tillë në dhjetë vitet e fundit ka ndërkaq nga ata që flasin për rreth 150 mijë të tillë. “Njerëz të kualifikuar, të cilët edhe pasi kanë punuar në punë administrative, ikin. Nëse politika e Italisë do të jetë e kujdesshme për rikthimin e trurit kjo do të ishte rruga e drejtë. Më mirë vonë se kurrë – ka shtuar deputeti Italian. Për të gjitha këto është duke punuar qeveria e Mario Montit pa harruar edhe politikën e jashtme të saj dhe veçanërisht për paqen në Ballkan. Italia po i kushton vëmëndje Kosovës, dhe po shkon në të njëjtën linjë me Nato- n duke tërhequr trupat nga Afganistani dhe duke i dërguar ato në Kosovë. Edhe Gjermanët të cilët kanë komandën e Kfor –it të udhëhequr nga gjenerali Erhard Drews Stimmler po dërgojnë gjithashtu një batalion riforcimi me 500 ushtarë, me të cilët do të bashkohen edhe 130 austriakë. Nga ana e tyre italianët janë të vendosur si forca rezervë të Operacionit të Komandës të Kforit të komanduara nga koloneli Alfonso Kornakia. Italia ka dërguar 400 forca që dyfishojnë kontingjentin ushtarak Italian i cili qëndron në Kosovë, por që ishte planifikuar vitin që shkoi duke sjellë edhe një rritje shpenzimesh për Italinë nga 70 në 100 milionë euro. Por tek kriza kosovare ndërkaq po shihen edhe “përplasje” mes Natos dhe Bashkimit Europian. Më 23 prill sekretari i përgjithshëm i Natos, Anders Fogh Rasmussen, përgjatë fjalës së tij në Europarlament, ka kërkuar të forcohet misioni Eulex “Për të folur haptazi, jam shumë i shqetësuar që operacioni i BE nuk ka shumë burime. Dhe kjo na sjell shumë komplikime në punët e Natos sepse operacioni i K-for –it është i implikuar” - ka thënë sekretari i Aleancës të Atlantikut. “Sepse Kfor- i duhet të marrë përsipër përgjegjësitë që nuk ishin parashikuar sidomos në veri të Kosovës”. Rasmussen “qorton” Europën sepse nuk ka dërguar forcat policore të cilat duhet të menaxhojnë në mënyrë autonome pështjellimet e krijuara duke detyruar forcat e Natos që të angazhohen në këto punë.
...