Dy mesazhe nga shqiptarët e Luginës
Ing. Ragmi Mustafa
Kryetar i Komunës – Preshevë
Pas bastisjeve dhe arrestimeve spektakolare të ministrit të Brendshëm, zotit Ivica Daçiç, në formën më brutale të mundshme në komunën e Bujanocit, dëshmon edhe njëherë fakti se këto janë të shantazhuara, fabrikuara me qëllimin më thelbësor të qeverisë serbe përkatësisht pasardhësit të Millosheviçit, z. Daçiç. Këto bëhen qëllimisht për të frikësuar shqiptarët, për të përndjekur shqiptarët nga trojet e tyre autoktone dhe arsye të tjera. Madje skenë të ngjashme shqiptarët kishin në vitin 2008 edhe në Preshevë dhe akuzat janë absolutisht të ngjashme sikurse të Preshevës edhe të Bujanocës.
Në këtë drejtim, te çdo shqiptar i Luginës së Preshevës ka reflektuar negativisht dhe në këtë heshtje parazgjedhore gjithë politika e Luginës së Preshevës u mblodh dje në Bujanoc për të shënuar dy ngjarje të rëndësishme: e para seanca e përbashkët e gjithë shqiptarëve të tre kuvendeve Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe e dyta protesta mbarëkombëtare e Luginës së Preshevës te sheshi Skënderbeu në qytetin e Bujanocit. Padyshim se nga këto të dyja janë përcjellë mesazhe pozitive dhe paqësore. Njërin mesazh ne shqiptarët ia kemi përcjellë Prishtinës dhe Tiranës zyrtare se shqiptarët janë në një pozicion mjaft të vështirë dhe kërkojmë nga Prishtina dhe Tirana që të kenë përkujdesje të veçantë për shqiptarët e Luginës. Mesazhi i dytë i është dërguar faktorëve ndërkombëtarë që janë të akredituar në Beograd si ambasadës së Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe misionit të OSBE-së që këto dy organizma kanë një përgjegjësi të veçantë që të ushtrojnë trysni mbi qeverinë e Serbisë në mënyrë që shqiptarët të jenë plotësisht të lirë, të qetë dhe të barabartë me të gjithë.