E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Presidenti, vetëm sipas Kushtetutës

06-05-2012 / Gazeta 55

“Heqja e imunitetit mund të bëhet me ligj të posaçëm ose me ndryshim të Kushtetutës”

Kur kanë mbetur më pak se 3 javë nga nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri, deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj shprehet se zgjedhja e Kreut të Shtetit duhet të respektojë germën dhe frymën e Kushtetutës. Alibeaj veçon se fryma pozitive që ka përfshirë situatën politike duhet të vazhdojë të mbetet në këto ritme, në mënyrë që ti shërbehet kurorëzimit me marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë.
Duke i konsideruar si pjesë të rëndësishme zgjedhjet presidenciale, deputeti i PD-së shton se është e domosdoshme dhe në të mirë të procesit që opozita të garojë me kandidatët e saj. “Aroma e një ere të re pozitive, e tillë që mund të kurorëzohet për marrjen e statusit ka kohë që ka përfshirë politikën, që nga koha që palët politike nisën bashkëpunimin parlamentar. E gjithë rezymeja e Fules në vizitën e tij në Tiranë, ishte pikërisht kjo. Në fjalën e tij ai e uli diskutimin dhe në marrëdhënien njerëzore, pasioni për të mirën shqiptare, të sofistikohet jeta parlamentare. Duhet të zhdukim çfarëdo lloj mosbesimi mes palëve për ngjarje të mëdha historike si reforma ligjore, apo Presidenti. Më kryesorja është Presidenti, Fule u tregua i qartë që procesi i zgjedhjes duhet të respektojë germën e Kushtetutës dhe frymën e saj. Germën për procesin dhe frymën për atë që do të personifikojë emri i Presidentit. Kjo është adoptuar nga të gjitha palët politike, ajo çfarë do të quhet mrekullia e ndryshimit të Kushtetutës ka dhënë dhe po jep këtë frymë optimiste sot. Palët nuk qëndrojnë më në llogoret e tyre. Konsensusi moral dhe legjitimiteti do të jetë mbarë politik, me 24 maj starton procesi. Do të ishte një dozë e mirë bashkëpunimi pjesëmarrja aktive edhe e opozitës, të garojë me kandidatët e saj”, u shpreh Alibeaj. Duke u ndalur te vizita e Komisionerit të Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle në Tiranë, i cili solli dhe njëherë në vëmendje domosdoshmërinë e heqjes së imunitetit, duke ripërsëritur atë çfarë kërkoi dhe sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Clinton gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, deputeti Alibeaj e konsideron akt të domosdoshëm për kthimin e besimit tek Prokuroria.
Sipas tij, kjo mund të bëhet si me ligj të posaçëm ashtu dhe me ndryshim kushtetues.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›