E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qeveria, masa për të mbrojtur ekonominë nga kriza dhe zgjeruar lirinë e biznesit

28-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inspekton punimet për shpimin në pusin kërkimor “Shpirag 2”, në Berat: “Një nga historitë më të mëdha të suksesit”

Gjatë inspektimit në pusin kërkimor Shpirag 2, kryeministri garantoi të gjithë investitorët qeveria do të ndërmarrë një seri masash të reja për të zgjeruar lirinë e biznesit dhe për të konsoliduar garancinë për biznesin dhe investimet. Ai tha se po bëhet gjithçka që ky vend, ekonomia e qytetarëve shqiptarë të mbrohet nga një krizë, e cila do të jetë një krizë afatgjatë dhe që shqiptarët të mos bien në recension e krizë

Kryeministri Sali Berisha inspektoi paraditen e djeshme, punimet për shpimin në pusin kërkimor Shpirag 2, në Berat, pusi më i thellë i hapur ndonjëherë në vend, me thellësi totale të llogaritur prej 6100 metrash. Kreu i qeverisë i shoqëruar nga drejtues të pushtetit lokal të Beratit, ministra e deputetë, Drejtuesi i Punimeve të kompanisë Petromanas Energy Inc, Hamid Mozayani, përfaqësuesi i Shell International për Shqipërinë dhe Italinë, Marco Brun, si dhe punonjës, teknikë e inxhinierë, pa nga afër punimet e kryera deri tani, si dhe sondën e shpimit. Kryeministri u interesua për ecurinë e tyre dhe përgëzoi ekipin e punës për realizimin, dy muaj para afatit të shpimit të pusit, në sajë të teknologjive më të zhvilluara dhe bashkohore që po aplikohen. Shefi i ekzekutivit  falenderoi me mirënjohje dy kompanitë Petromanas dhe Shell që me prezencën e tyre në Shqipëri dëshmuan besim të madh, duke investuar në projekte kaq të rëndësishme për vendin. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri uroi që investimi në pusin e Shpiragut të shënojë njërën nga historitë më të mira të suksesit të përbashkët mes këtyre kompanive dhe qeverisë shqiptare. Kryeministri garantoi përfaqësuesit e këtyre kompanive, por dhe të gjithë investitorët në tërësi se qeveria do të ndërmarrë në të ardhmen një seri masash të reja për të zgjeruar lirinë e biznesit dhe për të konsoliduar garancinë për biznesin dhe investimet, ndërsa solli në vëmendje se gjatë këtyre viteve, në fushën e hidrokarbureve janë investuar rreth 800 milion dollarë nga 3.4 milionë që ishin investuar në vitin 2004. “Angazhimi i këtyre kompanive në një sipërfaqe prej 5700 km2 në Veri dhe ne Jug të vendit është dëshmi e besimit të tyre për potencialet e mëdha energjetike të Shqipërisë, është dëshmi e besimit të tyre të madh tek klima e biznesit në Shqipëri, tek Shqipëria dhe qëndrimi i saj ndaj investimeve të huaja. Qeveria ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për të mbështetur, për të lehtësuar, për të ndihmuar investitorët e huaj dhe vendas, pasi për ne, investimet janë themelore në shpejtësinë e zhvillimit të vendit. Gjatë këtyre viteve, në fushën e hidrokarbureve janë investuar rreth 800 milion dollarë, kundrejt vetëm 3,4 milion që ishin investuar në vitin 2004. Gjatë këtyre viteve prodhimi i naftës në Shqipëri është mbidyfishuar. Gjatë këtyre viteve interesi për potencialet e mëdha të Shqipërisë në fushën e naftës dhe gazit është dhjetëfishuar. Kjo politikë dhe këto qëndrime bënë që të shumëfishohet besimi i investitorëve të huaj tek Shqipëria dhe Shqipëria në kulmin e krizës ekonomike evropiane ngjitet në çatinë  e botës për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja për frymë. Ato në katër vitet e fundit u rritën me 316 pwr qind. Kjo politikë i mbrojti shqiptarët dhe ekonominë  e tyre nga kriza. Kjo politikë bëri që të ardhurat buxhetore, jo vetëm të mos ulen, por përkundrazi të njohin rritje të vazhdueshme, e konvertuar kjo me rritje konstante të rrogave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë. Kjo politikë ka bërë që në rast se në vendet e krizës, papunësia është dy dhe trefishuar, në Shqipëri, siç faktojnë të gjitha statistikat, papunësia është ulur në mënyrë progresive. Është ulur në mënyrë progresive, pasi në çdo skaj të këtij vendi po krijohen vende pune. Në këtë shesh shpimi punojnë rreth 100 punëtorë, inxhinierë e teknikë. Dhjetëra e dhjetëra të tjerë punojnë në kompanitë e nënkontratuara nga Petromanas dhe Shell. Dhe këtu jemi në një luginë rreth Shpiragut. Por në qoftë se shkojmë rrëzë Korabit edhe atje do të gjejmë se ndërtohet një HEC, edhe atje do të gjejmë se janë të punësuar punëtorë. Le të dalim në Vithkuq, edhe atje është ndërtuar një HEC, edhe atje janë punësuar punëtorë. Le të shkojmë në lindje, 1500 metra, në lartësinë e Martaneshit. Edhe atje ndërtohet HEC, edhe atje janë të punësuar punëtorë. Pra, ne po bëjmë gjithçka për punësimin e qytetarëve shqiptarë, po bëjmë gjithçka që ky vend, ekonomia  e qytetarëve shqiptarë të mbrohet nga një krizë, e cila do të jetë një krizë afatgjatë dhe ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të mos bien në recension, të mos bien në krizë”, u shpreh kryeministri.
Ai garantoi investitorët se qeveria do të vijojë me masa që mbrojnë ekonominë shqiptare nga kriza. Sipas tij, në kushtet e krizës së thellë në Evropë, Shqipëria ka rritje ekonomike, 4 herë më të madhe se ato të vendeve të rajonit, dhe për të nuk ka asnjë dyshim se politikat që po ndiqen, do e shndërrojnë Shqipërinë në një vend me zhvillim të shpejtë. “Unë i garantoj përfaqësuesit e këtyre kompanive se qeveria do të ndërmarrë në të ardhmen një seri masash të reja për të zgjeruar lirinë e biznesit, për të konsoliduar garancinë për biznesin dhe investimet. Por kjo politikë ka patur rezultate shumë të rëndësishme. Në kohën e krizës më të thellë që Evropa ka njohur në 80 vitet e fundit, krizë të cilën tani po e thërrasin kriza e recensionit të madh, ekonomia  e vogël shqiptare nuk ra në asnjë moment në recension. Ekonomia e vogël shqiptare dëshmoi një gjallëri dhe dinamizëm, të cilat bënë që Shqipëria edhe në kushtet e kësaj krize të ketë rritje ekonomike, 4 herë më të madhe se rritja ekonomike mesatare e rajonit. Ne i qëndrojmë politikës sonë të taksave të ulëta. Kjo politikë ka bërë që Shqipëri të mos njohë krizën, kjo politikë ka bërë që vitet e ardhshme Shqipëria të qëndrojë sërish në krye të rajonit, në krye të Evropës, për rritje ekonomike. Kjo politike do ta shndërroje Shqipërinë në një nga prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në rajon dhe më gjerë. Kjo politikë do të shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë. Kjo politikë do të shndërrojë Shqipërinë në një vend me zhvillim të shpejtë, në një vend që e filloi me të ardhura për frymë prej 204 dollarë dhe sot ato janë 9 mijë dollarë. Ky vend do të rendë me shpejtësi drejt niveleve të të ardhurave të vendeve të zhvilluara”, theksoi Kryeministri.

Investimi
Investitorët e huaj dhe konkretisht drejtuesi i punimeve për kompaninë “Petromanas Energy Inc”, Hamid Mozayani u shpreh se aktiviteti i tyre në Shqipëri është mirëpritur nga shqiptarët, si dhe ka gjetur bashkëpunimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare dhe të autoriteteve lokale. Ai vlerësoi potencialet dhe lehtësitë që Shqipëria ofron në këtë drejtim, duke nisur aksesi i gatshëm ne tregjet kyçe të eksportit Evropian, si dhe sistemi i themeluar i hidrokarbureve me fusha nafte te shumta, përfshirë Patos-Marinzen, fushën më të madhe të naftës në tokë, në Evropën Perëndimore. Grupi “Petromanas - Royal Dutch Shell”, i mirënjohur në fushën e eksplorimit të naftës dhe gazit, ka investuar vetëm këtë vit në Shqipëri, rreth 50 milionë dollarë, ndërsa në dy vite të marra së bashku kjo vlerë arrin në mbi 80 milionë dollarë. Pusi, i cili përparon me një mesatare prej 40 metrash në ditë, aktualisht ka arritur në thellësinë e 4045 metrave. Ai është vepër e kompanive “Petromanas Energy Inc” dhe “Shell” dhe ka një kosto totale shpimi dhe përfundimi mbi 35 milion dollarë. Së shpejti, ky investim do të shoqërohet edhe me fillimin e kërkimeve në pusin “Juban 1”. Në sheshin e shpimit të “Shpirag 2”, janë punësuar 100 punëtorë vendas dhe nëpërmjet bashkëpunimit të grupit Petromanas & Shell me kompani nënkontratore shqiptare janë punësuar edhe dhjetëra punonjës të tjerë. Ky grup i suksesshëm edhe në teknologjitë më të avancuara që përdor, e nis përdorimin e metodave te reja, me prurjen për herë te parë në Shqipëri, të sondës së fuqishme Rig T-46, nga firma KCA Deutag, e cila mund të shpojë deri në thellësinë 7500 metra.

 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›