Miratohet projektligji për Administratën Publike dhe Avokatinë
Kuvendi miratoi dje me 71 vota “pro”, asnjë kundër dhe 54 abstenime p/ligji “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, i cili synon t’i japë një bazë ligjore të re funksionimit të saj. Ligji i ri, që ka të bëjë me përmbushjen e detyrimeve të qeverisë për statusin e anëtarësimit të vendit në BE, qartëson kriteret e rekrutimit në shërbimin e administratës shtetërore dhe synon t’i japë atributet përkatëse punonjësve të shërbimit civil dhe atyre të administratës publike. Nëpërmjet këtij projektligji synohet ofrimi i një kuadri të përgjithshëm ligjor, për organizimin e administratës shtetërore që mund dhe duhet të përdoret për të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore dhe shmangia e gjetjes së zgjidhjeve të përkohshme, të cilat sjellin fragmentim, probleme bashkërendimi, mungesë llogaridhënieje dhe humbje të burimeve. Gjithashtu, synohet forcimi i kapacitetit të përgjithshëm të qeverisë qendrore për orientimin e përmbushjes së funksioneve shtetërore, hartimin dhe zbatimin e politikave kombëtare dhe korrigjimin e devijimeve; rritja e llogaridhënies së nëpunësve të lartë civilë nëpërmjet një strukture të qartë që lehtëson caktimin dhe identifikimin e përgjegjësive, si dhe hartimin e parimeve bazë për funksionimin e njësive të administratës publike, me qëllim orientimin e të gjithë drejtuesve gjatë kryerjes së detyrave të tyre, sipas kërkesave të ‘miradministrimit’.
Gjithashtu, në seancë plenare deputetët miratuan me unanimitet (125 vota) disa ndryshime në ligjin “Për profesionin e Avokatit”, si dhe me 122 vota ndryshimet në ligjin “Për qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.