Berisha: Ndëshkoni bllokuesit, bëni realitet ëndrrën evropiane
Kryeministri Berisha inauguron shkollën 9 vjeçare “Koçaj” në Baldushk
“Fëmijët janë të parët për ne dhe do të bëjmë gjithçka për ta dhe shkollimin e tyre”. Këtë mesazh, Kryeministri Berisha e përcolli sërish sot, gjatë përurimit të shkollës 9-vjeçare “Koçaj” në Balduksh, në vijim të një turi përurimesh dhe takimesh me nxënës e mësues në mbarë vendin. “Ne e bëjmë këtë se kemi bindje të madhe se vetëm Shqipëria e dijes do të jetë Shqipëria e zhvilluar dhe se Shqipëria ka të gjitha potencialet, për të ecur me shpejtësi të madhe drejt Shqipërisë së dijes” - tha Kryeministri në fjalën e tij, ku ripërsëriti se arsimi ndodhet në krye të axhendës së qeverisë.
Qeveria ka ndërmarrë investime të mëdha jo vetën në infrastrukturën arsimore, ku vetëm në qarkun e Tiranës janë ndërtuar e rindërtuar 145 shkolla, me investim prej 2 miliardë e 800 milionë lekë, por edhe në trajtimin financiar e kushtet e punës së arsimtarëve, paga e të cilëve, në gjashtë vjet është rritur me 120 përqind, me bindjen se investimi për ta është investim për cilësinë.
Duke qenë në proces të integrimit në Bashkimit Evropian kryeministri renditi disa nga standardet e arritura në këtë drejtim, por akuzoi sërish opozitën se po bllokon integrimin duke mos votuar ligjet.
“Të dashur fëmijë, kur shihni parlamentin e komisionet parlamentare do të konstatoni se në mes të mbledhjes, një grup deputetësh ngrihen dhe ia mbathin dhe ai mbathin pikërisht atëherë, kur duhet të votohen 2-3 ligje që kërkohen me doemos nga Komisionin Europian, për të votuar statusin e vendit kandidat. Në shkëmbim kërkojnë që të shkelmojmë vendimin e gjykatave. Ju jeni fëmijë, por prindërit e mësuesit tuaj duhet t’ju shpjegojnë juve se vendimet e gjykatave, sido që të duken, të drejta apo të padrejta, ka vetëm një rrugë: t’i apelosh në gjykata dhe t’i zbatosh. Nuk mundet kurrë që një vendim që të pëlqen ta zbatosh dhe një vendim që nuk të pëlqen ta hedhësh poshtë e të thuash nuk e njoh, se pastaj drejtësia nuk ekziston”- theksoi Berisha, ndërsa u bëri thirrje që të bisedojnë me prindërit për të bërë realitet ëndrrën evropiane dhe të mos harrojnë bllokuesit e integrimit.
“Ju bëj thirrje që të bisedoni me prindërit tuaj dhe të mos harroni karriget bosh, të lëna në komision e parlament, se kanë vetëm një qëllim, të errësojnë ëndrrën tuaj më të bukur e më fisnike të Shqipërisë europiane. Ne edhe pak do ta bëjmë këtë ëndërr të vërtetë”.
Në fund të fjalës së tij kreu i qeverisë premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka, për të finalizuar projektet e komunës Baldushk për të financuar me grante fermerët që të rrisin sipërfaqet e serave. Duke qeneë se kjo komunë është bazë e fuqishme e furnizimit të kryeqytet me perime e fruta, ai i nxiti ata që të mbjellin sa më shumë ullinj, arrorë e drurë frutorë të cilësisë më të lartë, ndërsa nuk harroi dhe projektin e përbashkët lidhjen e Baldushkut me Paprin dhe Elbasanin.