E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi në kaos, Rama të presë Olldashin

Kryeministri: Prova e bashkisë me trafikun dështoi. Bashkëpunim për të gjetur zgjidhje

Mazhoranca rikërkon nisjen e bisedimeve mes përfaqësuesve të saj dhe Bashkisë së Tiranës për bashkëpunim në lidhje me rindërtimin e sheshit “Skënderbej”. Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të qeverisë ndau lajmin se tashmë për rindërtimin e sheshit qendror të kryeqytetit, fondi në dispozicion është 10 milionë euro nga 5 milionë që ishte më parë. Sipas Berishës, shtimi i këtij buxheti kishte ardhur si rezultat i kërkesës që ai i kishte bërë Emirit të Kuvajtit, gjatë vizitës që bëri pak ditë më parë në këtë vend. “Pas vizitës sime në Kuvajt, Emiri ka vendosur që në formë dhurate të dyfishojë fondin për sheshin “Skënderbej”, nga 5 në 10 milionë euro. Këtë lajm ma komunikoi i dërguari i tij paraditen e sotme dhe mund të konsiderohet si një ndihmë tepër bujare”, theksoi Berisha në mbledhjen e qeverisë. Në këtë kuadër ai kërkoi nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, që të niste bisedimet menjëherë me kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama, në mënyrë që mes palëve të nisë bashkëpunimi për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”. Sipas Berishës, ky takim është i nevojshëm pikë së pari për të gjetur një zgjidhje në lidhje me trafikun në kryeqytet, i cili sipas Berishës ishte rënduar së tepërmi si rezultat i bllokimit të sheshit dhe qëndrimit të bashkisë për ta nxjerrë trafikun e kryeqytetit jashtë këtij sheshi. “Projekti i ri përjashton sheshin nga funksioni i tij kryesor që ka aktualisht dhe trafiku do të zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë”, deklaroi Kryeministri. Ai shtoi se paraditen e djeshme ishte bërë edhe prova e parë nga ana e Bashkisë së Tiranës për të eliminuar trafikun nga qendra dhe kjo provë krijoi një bllokim të përgjithshëm, që u kushtoi qytetarëve orë të tëra pritje në trafik. Sipas Berishës, qeveria ishte e gatshme të ndërtonte edhe një unazë ndërmjetëse, midis asaj të vogël dhe asaj ekzistueses, në mënyrë që trafiku në kryeqytet të shkonte në normalitet. Si një problem tjetër të rëndësishëm, që ishte e udhës të diskutohej me ministrit të Transporteve dhe kryebashkiakut të Tiranës, Kryeministri renditi edhe atë të ligjshmërisë së punimeve nga ana e bashkisë për zbatimin e projektit. Sipas Berishës, ishte e udhës që ky projekt përpara se të niste zbatimin të konsultohej me institucione të rëndësishme, siç ishte ai i Trashëgimisë Kulturore apo Këshillin Kombëtar të Rregullim Territorit të Republikës. “Përcaktimet e Institutit të Trashëgimisë Kulturore janë të detyrueshme për bashkinë, për qeverinë, për KRRTRSH-në. Për derisa vetë zoti Rama ka hartuar vendimin dhe ka bërë mirë, të trajtimit të sheshit si një ansambël të trashëgimisë kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në çdo vend të botës, zëri më kryesor është ai i Institutit të Trashëgimisë Kulturore apo entit të trashëgimisë kulturore”, argumentoi Berisha. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë theksoi se instituti ka arsyetuar shumë drejt kur e krahasoi projektin si një nismë, e cila e kthen sheshin kryesor të Tiranës në një piramidë. “Ne e kemi një piramidë dhe unë kam presione të jashtëzakonshme, kërkesa të panumërta për ta shembur. Ajo u kujton shqiptarëve njeriun më barbar të historisë kombëtare. Të ndërtosh një piramidë tjetër në shesh, mund të kënaqë një grup enveristësh, por sheshi nuk është i një grupi, por i të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Kryeministri. Si një tjetër temë të diskutimeve Olldashi-Rama, kreu i qeverisë përmendi edhe atë të monumentit të Skënderbeut, i cili është simboli kryesor i sheshit. Sipas Berishës, nuk ishte e drejtë që ky simbol me një rëndësi të veçantë në historinë e shqiptarëve të zhvendosej. “Nuk mund të them se ku, por në konstruksionin e ri duhet të përcaktohet vendi për monumentin e tij. Ne lobojmë në kryeqytetet apo qytetet e botës për të vendosur monumentin e tij. Shqiptarët kudo e kanë atë çështje të parë me autoritetet, por tani nuk mund ta vendosim nën hije e ta nxjerrim sikur nuk ishte i yni”, theksoi Berisha. Sipas tij, monumenti i Heroit tonë Kombëtar ishte një çështje delikate për shumë shqiptarë dhe për këtë arsye ishte e udhës të mbahet në një vëmendje e veçantë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›