E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike, sërish përplasje Qeveri-FMN

TIRANE-  Qeveria vijon përplasjet për shifrat e rritjes ekonomike me autoritetet ndërkombëtare financiare. Kryeministri Berisha për të disatën herë paraqet imazhin e një rritje të konsiderueshme ekonomike duke u munduar të përgënjeshtrojë deklaratat e organizatave prestigjioze, vecanërisht FMN.
Gjatë ceremonisë së dhjetë vjetorit të krijimit të Bankës greke Emporiki në Tiranë, kreu i qeverise tha se rritja ekonomike për gjashtë mujorin e parë të vitit 2009 ka qenë 5.3%, një shifër që kundërshtohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e cila deklaroi në tetor se rritja ekonomike e vendit është në nivelin 2%.
“Ky vit është karakterizuar me një rritje prej 59% të investimeve të huaja. Këtë vit Shqipëria në 6 mujroin e parë pati një rritje 5.3%” theksoi Berisha.

Ndërkohë këto shifra bien në kundërshtim me parashikimet dhe deklaratat e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Kryeministri Berisha theksoi se ndonëse në kohë të një krize nga më të mëdhatë që kanë njohur financat botërore bankat në Shqipëri, qëndruan me dinjitet për shkak të parimeve të shëndosha, solide, transparente mbi të cilat funksionuan dhe funksionojnë.
“Bankat në Shqipëri dhe ekonomia shqiptare natyrisht ndjeu stuhinë e krizës botërore, por natyrisht u mbajtën më mirë se në të gjitha vendet e tjera të kontinentit. Dhe kjo, jo për shkak të një ekonomie centraliste, përkundrazi të nje ekonomie të vërtetë tregu e bazuar në parimet më të shëndosha të tregut. Ndaj dhe kemi një arsye të jemi të gjithë së bashku krenarë për situatën e financave , bankave dhe ekonomisë shqiptare.” theksoi kreu i qeverisë.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Bankës Emporiki në Shqipëri morën pjesë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ministra të kabinetit, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve ekonomike dhe financiare, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›