E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trukimet, FSHF: Masa të forta nëse vërtetohen akuzat

TIRANE- Në një reagim për mediat, Federata Shqiptare e Futbollit ka paralajmëruar masa tepër të forta në rast se do të vërtetohen akuzat e ngritura nga UEFA për trukim ndeshjesh. “Na vjen keq që në akuza të tilla përfshihen klubet shqiptare, - bëri të ditur shefi i zyrës së shtypit Tritan Kokona. – Ne si Federatë jemi pro UEFA-s dhe e mbështesim atë në çdo hetim që bën, duke qenë se jemi anëtarë të saj. Kuptohet, se në këto momente jemi në rangun e akuzave, por në rast se ato do të vërtetohen, atëherë masat do të jenë vërtetë shumë të ashpra nga ne”, u shpreh më tej ai. Sipas Kokonës, UEFA nuk ka kërkuar informacione nga zyrat e FSHF-së për ndeshjet e ekipeve shqiptare, por i gjithë hetimi është informacionet e marra nga burime të tjera. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm Eduard Prodani, mohoi se Federata ka patur dijeni për hetimet që po kryente institucioni qendror i futbollit në Evropë. “Ne e kemi marrë vesh këtë vetëm në orët e paradites së sotme”, - tha ai. Ndërkohë Federata ka njoftuar dje se ka nisur edhe një hetim për akuzat e ardhura nga kryetari i bashkisë së Lushnjës Sanxhaku, që ka akuzuar drejtuesit e Bylisit se janë munduar t’i blejnë lojtarët. Dy inspektorët e Disiplinës janë ngarkuar të zbardhin këtë çështje.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›