E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rritje tjetër abuzive e karburanteve/ Nuk ka importe të reja por nafta po shitet me çmimin e krizës

Tabelat e shitjes me pakicë të karburanteve ndryshuan përsëri këtë të enjte. Ndryshimi ishte i menjëhershëm të paktën në Tiranë. Nafta shitet me 199 lekë për litër nga 192-193 që shitej një ditë më parë, duke u rritur me 6-7 lekë për litër. Benzina kaloi kufirin e 200 lekëve për litër, duke u shitur me 201 lekë.

Në fillim të shkurtit çmimet e karburanteve në vend shënuan një tjetër rritje, për herë të shtatë radhazi në vetëm pak muaj.

Që nga viti 2021, çmimi i naftës është rritur disa herë. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 51 lekë për litër, ose rreth 40%.

Në momentin që u bë rritja e fundit e çmimeve në vend, nafta në bursa tregtohej në rreth 90 dollarë për fuçi. Operatorët e tregut kanë paralajmëruar se çdo rritje në bursa do të reflektohet gradualisht edhe në tregun vendas. Por në Shqipëri nuk ka asnjë litër naftë të importuar pas fillimit të luftës nga Rusia.

Ligji autorizon kompanitë importuese që të sigurojnë një të tretën e importit të tyre si rezervë sigurime, me qëllim amortizimin e çmimit në kushtet e krizës. Asnjë rezervë sigurie nuk përdoret për këtë qëllim, nëse vërtet ka rezervë sigurie.

Shtetet e rajonit kanë përdorur mekanizmin e ngrirjes së çmimit. Kosova ishte shteti i fundit që e përcaktori një litër naftë në çmimin 1.42 Euro ose 170 lekë litri. Shqipëria po shet me 20 lekë më shumë për çdo litër. Në raport me fuqinë blerëse, Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në Europë, teksa qytetarëve të saj u duhen deri në 5 % të të ardhurave të tyre për të blerë një litër naftë.

Është fakt që çmimi i naftës së papërpunuar Brent, një pikë referimi ndërkombëtar, arriti në nivelin më të lartë të shtatë viteve prej rreth 113 dollarë për fuçi.

Po si paraqiten çmimet në Shqipëri?

Shikoni këtë tabelë që është një përmbledhje e çmimeve të Diesel nga viti 2005 deri sot. Tabela tregon çmimin me të cilin zhdoganohet çdo litër naftë dhe në të përfshihen të gjitha taksat kombëtare. Çmimi më i lartë i zhdoganimit është ai i vitit 2011 me 95 lekë/litër  dhe ai më i ulët në vitin 2020 me 38 lekë/litër.  Nga viti 2010 nuk ka ndryshuar as akciza-ajo është 37 lekë/litër. Nga viti 2011 nuk ka ndryshuar as taksa e karbonit, ndërsa nga viti 2015 nuk ka ndryshuar as taksa e qarkullimit që mbetet 27 lekë/litër.

Diferenca vihet re në shitjen me pakicë, pra në tabelat e pikave të shitjes së karburanteve. Në vitin 2015, kur nafta zhdoganohej me 57 lekë/litër, në tabela shënohej shifra 158 lekë/litër. Në vitin 2019, kur nafta zhdoganohej me 58 lekë/litër çmimi ishte 171 lekë/litër. Në 2020 nafta u zhdoganua me 38 lekë/litër, por çmimi me pakicë ishte 169 lekë/litër, shumë afër naftës se 2019 (2 lekë më pak se viti 2019), por shumë më shtrenjtë se sa një litër naftë e zhdoganuar, pra me diferenca prej 20 lekë për litër.

Zhdoganimi:                                                     68 lekë/litër

Taksat:                                                               84 lekë/litër

Çmimi i llogaritur:                                            152 lekë/litër                                                    

Çmimi në tabelë:                                             199 lekë/litër

Diferenca nga tabela:                                     47 lekë/litër

Vini re se sa kushton një litër naftë në vitin 2022: zhdoganimit 68 lekë/litër, i shtohen të gjitha taksat që paraqiten në tabelë, atëherë çmimi maksimal rezulton 152 lekë/litër. Po përse në nafta shitet 199 lekë/litër?

Për të qenë profesionalë, kjo është vlera, të cilës kompani të ndryshme i shtojnë:  

  1. amortizimin e depozitave dhe instalimeve;
  2. interesat bankare për kreditë dhe overdraftet;
  3. TVSH në fazën e dytë të shitjes;
  4. transportin nga depozitat deri tek pikat e shpërndarjes;
  5. shpenzime amortizimi në stacionet e shpërndarjes (shpk);
  6. shpenzimet administrative (pagat, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, taksat dhe tarifat lokale, taksën e kasave, etj, etj). Ia shtojmë çmimit të gjitha sa kanë detyrim kompanitë e naftës.

Po a bëjnë të gjitha këto 47 lekë/litër, sa diferenca 199 lekë e tabelës me 152 lekë të zhdoganimit? Nuk del kjo llogari! Autoriteti i Konkurrencës mund ta përfshijë edhe këtë fakt në hetimin e thelluar që po realizon.

Nga të dhënat statistikore duket se nafta është karburanti më i përdorur në Shqipëri dhe lidhet drejtpërdrejt me rritjen apo ngadalësimin e ekonomisë. Ajo përbën afërsisht 75% të të gjitha shitjeve të karburanteve të importuara.

/rtsh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›