E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rrjeta shqiptare, tani në pikën kulmore

Volejbolli shqiptar tanimë ka mbërritur në pikën kulmore të sezonit. Tirana e Arben Sakos, në një pritje të gjatë për një titull kampion, plot 28 vjet, tanimë është vetëm një hap larg këtij trofeu. Pasi ka fituar dy ndeshjet e para, 3-0 në sallën olimpike “Feti Borova” dhe 3-1 në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Fllakës, të mërkurën luan ndeshjen e tretë në ora 18:00. Në fakt, Tirana e ka mundur tre herë këtë sezon Erzenin. Fillimisht në Kupën e Pavarësisë, më pas në Ligën “Gjergj Kastrioti” dhe në fund edhe në Kupën e Shqipërisë.

Ky është akti i katërt final që luhet mes këtyre dy skuadrave, atje ku Tirana ka që nga sezonin 1993-1994 që nuk shijon një titull kampion. Gjithçka mbetet këtë të mërkurë, ndërsa titulli kampion është dhe premtimi më i madh i trajnerit Arben Sako për klubin shumësportësh bardheblu. Ndërkohë e enjtja starton duelin e femrave mes Skënderbeut dhe Tiranës. Skënderbeu që pret të kurorëzohet kampion i Shqipërisë në volejboll për femra pas 36 vitesh, për herë të fundit në sezonin 1985-1986, kurse Tirana e kërkon atë pas nëntë vitesh.

Deri më tani në duele janë 1-1, sepse Skënderbeu rrëmbeu Ligën “Gjergj Kastrioti”, kurse Tirana, Kupën e Shqipërisë. Gjithçka për t’u shijuar në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar të mërkurën në ora 18:00 nga salla olimpike “Feti Borova” dhe të enjten nga Pallati i Sportit “Tamara Nikolla” në Korçë. Trofetë, në fakt, zbukurojnë sezonin e gjatë të rrjetës shqiptare që ka nisur në shtator 2021 me Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›