E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjeti i klandestinëve arabë, prokuroria liron trafikantin shqiptar

Prej rreth dy vitesh Shqipëria konsiderohet se një trampolinë për klandestinët që vijnë nga vendet arabe. Janë me dhjetëra raste që janë bllokuar klandestinët ndërsa as policia dhe as prokuroria asnjëherë nuk kanë pranuar publikisht se në të vërtet ekziston një rrjet i mir`organizuar trafiku të qenieve njerëzore që ikin nga bota arabe dhe kërkojnë të hidhen në Europë nëpërmjet Shqipërisë, nga kufiri tokësor dhe detar.

Trafiku i njerëzve që kalon nëpërmjet Shqipërisë njeh një formulë lehtësisht të evidentueshme, ndërsa personat që janë krerë të këtij rrjeti jo vetëm kanë ndërtuar një biznes mjaft fitimprurës por madje arrijnë të depërtojnë deri në instancat e larta për të ndryshuar masat ndëshkuese për punonjësit e tyre. në javën e fundit të korrikut të këtij viti janë evidentuar dy raste, në të cilat shoferët e taksive që transportonin klandestinë janë arrestuar, mirëpo këtu nis edhe skandali i organeve kompetente. Ndërsa njëri nga shoferët është mbajtur në burg, tjetri është liruar. Burimet nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se në të dy rastet e fundit, ku janë kapur njëherë 11 persona dhe në rastin e dytë 12 klandestinë, letrat për në prokurori janë depozituar për trafikim të qenieve njerëzore. Të dy të arrestuarit janë nga i njëjti vend dhe për çudi, njëri është lënë në burg dhe tjetri është liruar me kërkesën e prokurorisë.

Me datë 24 korrik të këtij viti në Sarandë policia bllokon një automjet taksi me plot 12 klandestinë. Bashkë me klandestinët të cilët pas identifikimit të tyre u mësua se ishin të gjithë pakistanezë u tha se u arrestua edhe shoferi i mjetit që po kryente transportin e shtetasve të huaj. Taksixhiu, që sipas të dhënave të Policisë së Shtetit është nga Cakrani i Fierit u mbajt në pranga dhe pas mbledhjes së provave nga ana e policisë, dokumentacioni i referohet prokurorisë së Sarandës për trafikim të qenieve njerëzore. Taksisti lihet në burg, ndërsa vetëm 5 ditë më vonë një tjetër rast kalimi i paligjshëm kufiri për shtetasit arabë evidentohet nga uniformat blu po të policisë së qytetit bregdetar. Në një makinë që shërbente edhe si taksi zbulohen 12 shtetas të cilët sipas të dhënave ishin nga Pakistani dhe Etiopia.

Taksisti ishte po nga Cakrani. Vihet nën të njëjtën akuzë dhe dokumentet përcillen për në organin e akuzës. I arrestuari, ndryshe bashkëfshatarit të tij lihet i lirë nga organet kompetente. Referuar të dhënave që vijnë për të dy rastet e fundit në të cilat policia ka dhënë goditjen në kohën e duhur bëhet me dije se pika në të cilën u kaluan klandestinët ishte pikërisht Jergucat, pikë në nga e cila mësohet se realizohen thuajse të gjitha kalimet e shtetasve të huaj. Transportuesit e klandestinëve të cilët mësohet se prej mëse 2 vitesh janë pjesë e rrjetit të trafikut lirohen në këmbim të shumave të cilat vihen në dispozicion të njerëzve të drejtësisë. Burimet shpjegojnë se në të vërtet, nga hetimet policore dhe dëshmitë e shtetasve të huaj të cilët merren ne Greqi nga shqiptarët dhe pastaj vijojnë rrugën nëpërmjet vendit tonë deri në pikat dalëse të kufirit paguajnë nga 3 mijë euro secili, shuma këta që shkojnë vetëm për pjestarët e rrjetit.

Grekë e shqiptarë duket se janë bërë bashkë në rrjetin e trafikut të shtetasve arabë të cilët mbërrijnë deri në Turqi. Grumbullimi i tyre mësohet se bëhet në Greqi. Aty mbërrijnë trafikantët shqiptar të cilët përdorin dy rrugë për të hyrë në Gjirokastër. Më pas kapërcejnë në Sarandë, Vlorë dhe më pas shpërndahen nëpër destinacionet e mundshme të kalimit të kufirit. Informacionet tregojnë se klandestinët “braktisen” pak para se të mbërrijnë në pikën e kalimit kufitar dhe më pas shfrytëzojnë shtegun e treguar nga trafikantët për tu hedhur në fshatin Jergucat. Aty më pas nis edhe transporti i tyre në drejtim të veriut të vendit, kryesisht të Shkodrës.

Referuar burimeve të policisë mësohet se klandestinët arabë, kryesisht, kurd, pakistanezë dhe sirian, janë më të shumtët në numër në të gjitha rastet e zbuluara nga policia, nga Gjirokastra dhe Saranda lëvizin zakonisht deri në Tiranë, aty ndryshohen shoferët dhe rruga vijohet nga të tjerë persona. Kështu rrjeti i trafikimit duket se funksionin në mënyrë perfekte, ndërsa nga të huajt e ndaluar është mësuar se kryesisht me kalimin nga Shqipëria ata tentojnë të shkojnë Mal të Zi dhe më pas në Itali, Spanjë dhe në vendet e Veriut të Euopës. 3 mijë euro trafikantëve Janë dëshmitë e vetë klandestinëve të cilët tentojnë të kapërcejnë kufinjtë e botës për tu vendosur në Europën e shpresës së madhe të cilët në dëshmitë e tyre kanë mundur të rrëfejnë thuajse gjithçka dinë në lidhje me linjën që ndjekin trafikantët për ti sjellë në Shqipëri dhe më pas për ti kaluar në drejtim të Italisë. Shtetasit e huaj kanë treguar se për çdo njërin prej tyre shqiptarët që punojnë me lëvizjen e tyre kërkojnë vetëm për kalimin nëpër tokën shqiptare 3 mijë euro ndërsa klandestinët shpeshherë kanë arritur të kapen edhe rrugës për në Shkodër. Janë shënuar disa raste ndalimi në Lezhë dhe në rrugët e Shkodrës, ndërsa shumat e dorëzuara në duart e personave që i lëvizin klandestinët nuk i marrin dot më. Kështu trafikantët e këtij rrjeti duket se kanë vënë edhe tarifën fikse në lidhje me rrugën Sarandë –Shkodër që për të huajit që iu nevojit për transit duhet të lënë edhe shumën e lartpërmendur në duart e tyre.

Pas përfundimit të epokës së klandestinëve për vetë shqiptarët të cilët e përvetësuan këtë akt kriminal për të paktën 20 vite, lufta në vendet arabe detyroi shtetasit e atyre vendeve të kërkonin një rrugë shpëtimi për tu hedhur në Europë nëpërmjet Turqisë. Linja funksionoi mrekullisht ndërsa trafikantët grekë dhe shqiptarë nisën bashkëpunimin në këtë drejtim duke bërë të mundur futjen e klandestinëve nëpër pikat kufitare të Kapshticës dhe të Kakavijës. Që prej fundit të vitit 2011 janë shënuar me dhjetëra raste dhe në më të shumtën e tyre është fiksuar se makinat që arrinin të zbuloheshin nga policia shqiptare ishin më shumë se dhjetë persona për një udhëtim.

Policia shqiptare duke mos dashur të pranojë se po shkelet kufiri nuk pranoi jo vetëm që ka një linjë të trafikut të qenieve njerëzore por madje u konsideruan si hyrje sporadike në vendin tonë dhe se të huajt që iknin nga vendet e tyre për arsyet e luftrave kishin për qëllim vetëm kalimin në drejtim të Italisë për tu hedhur në Europë. Në fakt ashtu ka ndodhur dhe vijon të ndodhë, ndërsa trafikantët dhe transportuesit shqiptar thuajse janë edhe poseduesit e gjithë territorit tonë. Organet hetimore nuk kanë pranuar se transportuesit të jenë pjesë e trafikut por ata konsiderohen thjesht shoferë që grumbullojnë pasagjerë rrugësh dhe se asnjëri prej të ndaluarve nuk është në dijeni të ndonjë personi tjetër që funksionin dhe punon jashtë kufirit shqiptar. Në nëntorin e vitit 2011 policia e Tiranës zbuloi në një kamion që transportonte pajisje elektronike 11 shtetas të huaj, të cilët u tha se vinin nga Greqia. Drejtuesi i mjetit tregoi për policinë se shtetasit e huaj i kishte hasur në rrugë dhe i kishte sjellë deri në Tiranë ndërsa vetë klandestinët treguan se kishin ardhur nga Turqia, në Selanik dhe më pas kishin synuar Tiranën për të kaluar në drejtim të Italisë. Sipas të dhënave të dy viteve më parë, shoferi i mjetit ishte një shtetas turk. Vetëm një javë më vonë në një tjetër kamion, në Kapshticë zbulohen katër shtetas turq. U aplikua e njëjta strukturë hetimi ndërsa prej kaq kohësh ende nuk ka një reagim zyrtar të Policisë dhe asd të Prokurorisë në lidhje me trafikun klandestin që kalon mes për mes vendit tonë./Shekulli/Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›