E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjeti social më i përdorur në fushatë nga politikanët? Përgjigjet në Quo Vadis ekspertja e IT

Ekspertja e IT, Denisa Kele tha se rrjeti social që po përdoret më shumë nga politikanët në kuadër të fushatës elektorale është “Instagram”.

Kele, deklaroi në studion e Quo Vadis në Vizion Plus nën moderimin e Pranvera Borakajt se shumë kandidatë po i përdorin rrjetet sociale për të bërë komedi, duke u kthyer në qesharakë, të cilën ekspertja e quan të turpshme.

Ndërkohë, u shpreh Denisa Kele se ka edhe kandidatë që po i përdorin mediat sociale për të krijuar profilin e tyre zyrtar.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Sa po angazhohen forcat e reja në mediat sociale?

Kele: Ka kandidatë që duken qesharakë, të cilët nëpërmjet batutave përpiqen të kthehen në kandidatë të pëlqyer apo të spikasin. Dhe janë shtuar shumë. Është e turpshme, sepse ti pret që një kandidat i ri të sjellë një formë ndryshe, jo të jesh kopje e liderit. Ti mund të jesh duke u bërë qesharak dhe ai angazhim është thjesht sepse njerëzit duan humor. Pastaj ka kandidatë që po i përdorin rrjetet sociale për të krijuar profilin e tyre. Janë dy qasje të ndryshme.

Borakaj: Duket sikur është një fushatë vetëm online.

Kele: Nuk mendoj se vetë forcat politike mund t’i kthejnë pëlqimet, “like”-t apo rrjetet sociale në votë. Por rrjetet sociale kanë një kosto shumë më të ulët, për të mos thënë aspak. Politikanët kanë ndjekësit e tyre, modelin e tyre që përpiqen ta kopjojnë.

Borakaj: Instagrami apo Facebook-u është rrjeti më i përdorur?

Kele: Instagrami pa diskutim. Facebook-u krijon më shumë një profilin zyrtar. TikTok-u është ai që ka “reach” më të madh. Edhe politikanët janë duke e përdorur TikTok-un.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›