E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksat, qeveria kufizon kompetencat e vendorëve

Këshillat e pushtetit vendor, kanë të drejtë të rrisin deri në 10% taksat lokale, nga 30% që ishte në ligj

Këshilli i Ministrave miraton aktin për kufizimin e vendosjes së taksave lokale nga bashkitë dhe komunat


TIRANË- Qeveria kufizon të drejtat e pushtetit lokal, duke i ngushtuar hapësirat e tij në vendosjen e taksave për biznesin e vogël. Më anë të një akti normativ, Këshilli i Ministrave ndryshoi dje disa pika të ligjit, "Për Sistemin e Taksave Vendore", duke e zvogëluar në masën 10 për qind hapësirën, që komunat dhe bashkitë kanë të drejtë për të rritur apo ulur taksat vendore nga niveli ekzistues.

Sipas ligjit të mëparshëm, këshillit të bashkisë apo të komunës, i njihej e drejta që, për bizneset e vogla të rriste apo të ulte në masën 30 për qind, nivelin e taksës apo taksave, të miratuara për çdo kategori nga Kuvendi i Shqipërisë. Me ndryshimet më të fundit, qeveria ka ndryshuar këtë hapësirë; ajo u lë mundësi këshillave të pushtetit vendorë që nivelin e taksave ta rrisin deri në 10%, më shumë sesa parashikon ligji. Ndërsa ka lënë të pandryshuar kufirin deri në 30% për uljen e tyre.


Kështu, një biznes mund të taksohet nga pushteti vendor, 30 për qind më pak nga niveli i taksave të miratuara në Kuvend dhe jo më shumë se 10 për qind. Duke theksuar se nuk do të tolerohen abuzimet, që sipas tij bëhen me bizneset e vogla, Kryeministri Berisha njoftoi edhe ngritjen e një Task Force posaçërisht për këtë çështje, e cila do të funksionojë nën varësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

"Organi tatimor qendror, me një Task Forcë të veçantë, të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël. Qeveria do të ketë tolerancë zero ndaj abuzimit me të", - tha ai.

Mbledhja dhe administrimi i taksave të biznesit të vogël, u transferua komplet dy vite më parë, nën varësinë e bashkive dhe komunave, në kuadër të decentralizimit të pushtetit. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha citoi faktin se ky vendim i qeverisë merret pasi, sipas tij, pushteti vendor ka abuzuar me rritjen a tarifave ndaj kësaj kategori biznesi.

E drejta e vendosjes së taksave ndaj biznesit të vogël, iu transferua bashkive dhe komunave në përputhje me konceptin e decentralizimit.

Sot, ky biznes është vendosur në vështirësi, në disa qytete të vendit", - u shpreh Berisha, duke bërë të qartë se ky vendim merret duke respektuar problematikën e këtij biznesi.


Debati


Përplasja mbi nivelin e taksave vendore për biznesin e vogël gëlon prej disa javësh dhe është shoqëruar me akuza të ndërsjella midis Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Kreu i qeverisë akuzoi disa ditë më parë Bashkinë e Tiranës, për aplikimin e një niveli të lartë taksash për bizneset e vogla, duke rënduar më tej gjendjen e tyre.

Nga ana tjetër, kreu i Bashkisë, Rama, i kujtoi qeverisë se është ajo që po rëndon biznesin e vogël, duke vendosur një tatim 10 për qind mbi fitimin, dhe jo Bashkia e Tiranës. Zyrtarë të bashkisë thanë për mediat se, bëhet një ngatërrim i qëllimshëm midis tarifave të shërbimit në qytet, të cilat bazohen në kostot e shërbimeve, si gjelbërimi, pastrimi, ndriçimi, etj., dhe taksave.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›