E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: "Gërdeci", politika jo sulme mbi drejtësinë

Intervista/ Ambasadori amerikan në Tiranë, kërkon bashkëpunimin e forcave politike për infrastrukturën zgjedhore.

Zoti Widhers, kanë kaluar vetëm pak ditë nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Po për vetë Perëndimin e SHBA-në, çfarë epoke ka filluar në marrëdhëniet me Shqipërinë?


Mendoj se është vërtet një epokë e re, është një ditë e gëzueshme, si për Shqipërinë edhe për vendet anëtare të NATO-s.

Mendoj se domethënia e këtij zhvillimi është e vërtetë për shqiptarët, ashtu edhe për ne. Shqipëria do të ulet në të njëjtën tryezë me aleatët e tjerë dhe ju do të jeni pjesë e një procesi vendimmarrjeje dhe që përpiqet të bëjë atë çka është e drejtë për paqen.

Mendoj se ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm. Nga ana amerikane është një privilegj të kemi një mik kaq të ngushtë sa Shqipëria, që qëndron përkrah nesh.


Cilat do të jenë përfitimet?


Mendoj se përfitimi më i madh është paqja në rajon. Siç e dini ju shqiptarët, më mirë se ne, Ballkani ka qenë i prekur nga konflikte të vazhdueshme. Me NATO-n vendosen gurët e themelit të një epoke të re stabiliteti dhe paqeje në rajon.


Nuk përmendët reformën në drejtësi?


Unë po flisja në terma të gjerë. E kam thënë shumë herë që një sistem drejtësie i lirë, i pavarur dhe transparent, është themeli i një demokracie, është ajo pjesë e sistemit, e cila i bindet vetëm ligjit dhe Kushtetutës. Pavarësia e gjyqësorit dhe reforma aty, është një element qendror në evolucionin e përgjithshëm të demokracisë.


Si e shikoni situatën në vend?


Unë jam një admirues i madh i popullit shqiptar, jam një admirues i madh i eksperiencës historike që ky vend ka kaluar, një eksperiencë që në periudha të caktuara ka qenë e dhimbshme, që ka përjetuar vuajtje.

Ka kaluar një periudhë tejet të errët nën komunizëm, po përsëri ato vlera thelbësore dhe idealet thelbësore që i japin identitet dhe i bëjnë shqiptarët ata që janë, pavarësisht tërë këtyre dukurive negative, nuk u zhdukën.

Asgjë nga këto zhvillime nuk e ndryshoi atë përkushtim e besnikëri që shqiptarët kanë ndaj përpjekjes për të shprehur atë etikë në vlerat më të mira të saj. Kur unë shoh këtë Shqipëri, jam optimist për të ardhmen.

Pavarësisht mënyrës se si mund ta portretizojnë politikanët, nuk është diçka që do të doja të përfshihesha. Unë shikoj qytetarët me një qëndrueshmëri të madhe dhe këto janë ata që do të jenë forca shtytëse e këtij vendi përpara.


Jemi thuajse 70 ditë para zgjedhjeve. Të gjithë ndërkombëtarët po i shohin këto zgjedhje si një provë për demokracinë....
Është e ditur tashmë që, proceset në Shqipëri kanë qenë të debatueshme, ka pasur probleme me mënyrën si janë mbajtur zgjedhjet dhe me transparencën bazë të procesit zgjedhor.

Ndërsa Shqipëria rritet dhe hyn në skenën ndërkombëtare, i duhet të përmbushë përgjegjësi të reja, që vijnë me këtë status të ri dhe një nga këto përgjegjësi janë mbajtja e zgjedhjeve të lira, transparente e të ndershme.

Dhe kjo është një nga përgjegjësitë kyçe që vijnë me fitimin e statusit në këtë skenë ndërkombëtare.
Politika shqiptare është përfshirë në një debat të madh për infrastrukturën zgjedhore.


Cilat janë informacionet tuaja?


Parimi themelor, që është i rëndësishëm dhe që mendoj se është në thelbin e debatit politik, është e drejta universale për të gjithë qytetarët për të votuar.

Kjo është një nga kërkesat absolute themelore, që ne si amerikanë kemi, ndërsa shpresojmë nëse zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. Çdo votë që çdo qytetar hedh, duhet të numërohet në mënyrë të saktë dhe askujt nuk duhet t'i mohohet padrejtësisht mundësia që të lihet jashtë procesit.

Ky është një parim themelor, në të cilin ne besojmë thellësisht. Në këtë moment, në Shqipëri mendoj se ky është objektivi, ky është qëllimi që drejtuesit politikë duhet të mbajnë parasysh. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar në lidhje me një grup prej rreth 700 mijë qytetarësh që nuk kanë as pasaportë, as letërnjoftimet e reja për të votuar.

Mendoj se është shumë e rëndësishme për besueshmërinë e këtyre zgjedhjeve, që këta qytetarë të jenë fokusi kryesor, që, kur të vijë dita e zgjedhjeve, kjo e drejtë e votës, të jetë një fakt i demonstrueshëm dhe jo diçka që shpresonim të ishte.
Në fakt, kjo është edhe një nga kritikat e forta të opozitës, e cila e konsideron procesin të dështuar.


A është garanci bërja e kartave nga të huajt, që në këto zgjedhje të mos kemi votues me karta të rreme identiteti?


Mendoj se nuk është në detyrën e komunitetit ndërkombëtar që të futet në këtë analizë të detajuar. Ekziston një sistem mekanizmash dhe të dyja palët duhet të punojnë shumë të për të sjellë përmbushjen e të gjithë këtij qëllimi.

Unë shpresoj që të gjitha partitë, të gjithë drejtuesit politikë të vendit, do të punojnë së bashku për të arritur këtë qëllim të madh, që është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është në dorën e elitës politike në vend që të zgjidhë këto vështirësi, për të çuar në realizimin e këtij objektivi më të madh. Ajo që them është shumë e rëndësishme që të punohet tani dhe të evitojmë dhe këto skenarë që ju përmendët.


Nëse ato nuk realizohen, përgjegjësinë duhet ta kërkojmë te pala shqiptare?


Sigurisht. Këto janë zgjedhje shqiptare. Ne nuk do të bënim një vend tjetër përgjegjës për ato që do të ndodhte në zgjedhjet tona. Ka akoma kohë, por besoj se është momenti për t'u përqendruar në këto objektiva jetike, për të përmbushur ato standarde. Nëse forcat politike bashkohen së bashku, ashtu si në NATO, mendoj se këto standarde mund të realizohen.


Çfarë do të thoshte për Shqipërinë në NATO, një proces i kontestuar?


Mendoj se nuk duhet që në këtë moment të arrijmë në parashikime negative. Mendoj se kemi kohë. Mendoj se ajo çka është e domosdoshme që këto forca politike të punojnë fort, që të mos duhet të shqetësohemi për mundësinë e zgjedhjeve të një cilësie të debatueshme.

Të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Përgjegjësia kryesore është e shqiptarëve që të ndërmarrin ato hapa që zgjedhjet të jenë të suksesshme dhe çdo shqetësim të mos materializohet.


Ju keni mbajtur një qëndrim të fortë që në ditën e parë në çështjen e "Gërdeci". A mendoni se kështu po vepron edhe Prokuroria?


Unë mendoj këtë dhe e mendoj nga një eksperiencë shumë personale. Një shikim pa pengesa i të gjithë fakteve, në fund do të çojë tek e vërteta dhe kjo ka qenë në thelbin e deklaratave të mia. Sistemi gjyqësor të ketë mundësinë të operojë i pavarur nga ndërhyrjet politike apo presionet politike. Sistemit gjyqësor duhet t'i jepet ajo hapësirë që të bëjë punën e tij në përputhje me dispozitat e ligjit, jo diktimet politike.

Ne dhe anëtarë të stafit tonë, u ballafaquam me akuza nga një komitet i Kongresit dhe ne na u desh të punonim shumë që të paraqisnim faktet tona, për të treguar se aludimet ishin të rreme.

Në fund, Departamenti i Drejtësisë na shpalli të pafajshëm dhe ky zhvillim e riforcon bindjen time të thellë, që një sistem gjyqësor i zhvilluar, ku prokurorëve u lejohet të hetojnë shtegun kudo që të çojnë provat, pa sulme politike e presione, është me rëndësi thelbësore që të mund të arrijmë tek e vërteta.

Për qeverinë time, një gjyqësor i pavarur, është themeli i evolucionit dhe rritjes demokratike në vend.
Marrë me shkurtime nga "Top Story"

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›