E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rroftë shoku Simon: Poshtë simitja

Mirëpo tani m’u kujtua se në kohët e diktaturës katundi poshtë fshatit tim kërkonte një minator për të hapur rrugën, mirëpo Kuçi që kishte një minator, nuk ia dërgonte. Atëherë, kryetari shkon në Komitetin Ekzekutiv dhe i kërkon sekretarit, minatorin e Kuçit për të filluar rrugën. Bisedon me Kuçin të cilët i japin emrin e minatorit që quhej Simo S, këtij fakiri i kishin hequr një germë atë të fundit pra n-në për të mos e ngatërruar me anëtarin e byrosë. Sekretari merr në telefon kryetarin e fshatit që kërkonte minatorin. Nuk është këtu kryetari, përgjigjet derzhurni . Shëno i thotë sekretari i rrethit. Nesër në orën 8 të mëngjesit me autobusin e Kuçit do të vijë shoku Simon për punën e rrugës, merrni masa. Derzhurni merr telegramin dhe kërkon kryetarin të cilin gjen aty në muzg, të cilit i jep telegramin. Kryetari zbardhet në fytyrë. Urdhëron urgjent mbledhje te kryesisë duke lëshuar korrierët në çdo derë. Rreth orës 10 u mblodh kryesia. Kryetari u lexoi telegramin dhe u thotë: “Nesër mbërrin me autobusin e fshatit shoku Simon. Do të marrim këto masa. 1-Do të theren 10 krerë dhen. Në orën 5 te mëngjesit të fillojë pjekja e tyre. Ngarkohet komisioni i festës, i përbërë nga... Problemi numër dy. Lyerja e rrapeve dhe e dyqanit. Ngrihet komisioni i përbërë nga shoqet.... Puna fillon sonte për të përfunduar rreth sabahut. Ngrihet komisioni i drekës, i përbërë nga... Ngrihet komisioni i fjalimit. Komisioni i luleve, nga... Aty nga fundi kur u shpallën të gjitha komisionet, kryetari pyeti: “Mbeti njeri pa u ngarkuar me detyrë?” Ngriti dorën përgjegjësi i kulturës. Shiko tha kryetari, meqë grupi ynë konkurroi në Gjirokastër me këngën: ç’u këput një këmbë mali, filloni provat sepse kjo këngë duket sikur është krijuar për këtë rast. Gdhihet mëngjesi me rrugët që shkëlqenin nga gëlqerja. Atmosferë e ngjeshur në fshat. Vocërrakët kishin mbledhur lulet. Ndërkaq atje në Kuç, minatori Simon mori me vete bukë dhe një gjysmë qepe.
-Do të vish për darkë, e pyeti bashkëshortja. -Si të jetë puna, tha, dhe hipi në autobusin e Kuçit rreth orës 7.30. Rreth orës 8, fshati ishte mbushur plot. Kryetari u shpjegonte: Shoku Simon Stefani ka fjetur mbrëmë tek shoku Avdul dhe po udhëton me autobus. Shikoni sa i thjeshtë.
Atje përtej si një pikë, që sa vinte dhe zmadhohej, autobusi po vinte. Shoferi picërroi sytë. çfarë ka këtu, pyeti ai, por pasagjerët ngritën supet. Besoj se mos vjen ndonjë i madh. -Ka ndonjë për të zbritur, tha shoferi, më mirë të zbresë në të hyrë të fshatit. Ndaloi autobusi dhe zbriti minatori Simon me një trajsë në krah. E gjithë rruga nga rrapi deri në kthesë ishte e mbushur me kooperativistë të veshur me rrobat më të mira. Dilte ende tym nga rrapet. Sapo autobusi iu afrua turmës, njerëzia e shkretë filloi brohoritjen.
Parullat e hedhura ishin: Rroftë Shokun Simon! Poshtë armiqtë e kombit! Rroftë Lenini! Poshtë Levendi. ç’ne Levendi, kulaku i vetëm i fshatit, se kush tha. Se kush ja mori labçe. Ndërkaq autobusi mbërriti në qendër të fshatit dhe shoferi i tmerruar nga turma që avitej, mundohej të shtonte shpejtësinë për t’u larguar, me synimin që të mos bllokonte rrugën nga udhëheqja. Mirëpo turma po i avitej autobuzit duke hedhur parulla më të forta si: “Rroftë shoku Simon! Poshtë Hollivudi. Rroftë Shoku Simon, poshtë televizori, apo edhe Rroftë shoku Simon, poshtë simitja. dmth buka e bardhë. Erdhi një moment që autobusi nuk mund të shkonte më përpara. Shoferi ngeci i pluskuar. Këqyri portën. Kryetari hapi derën: Ku është shoku Simon?, pyeti shoferin. Zbriti në të hyrë të fshatit, tha shoferi. E gjithë turma u drejtua prej andej kur u shfaq një burrë fshati me një trajsë në krahë. Ky është shoku Simon? Po, ky është minatori i Kuçit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›